Bota Zgjedhjet në Rusi, Putin do të ruajë shumicën e fortë, Kremlini: BE...

Zgjedhjet në Rusi, Putin do të ruajë shumicën e fortë, Kremlini: BE të mos ndërhyjë

Rusia i kërkon Bashkimit Europian të mos ndërhyrje në zgjedhjet e brendshme, pasi Parlamenti Europian miratoi një rezolutë, që kërkon mosnjohjen e rezultatit të zgjedhjeve parlamentare ruse, nëse do të shkelen normat ndërkombëtare.

“Ashtu si në të kaluarën, do të mbrohemi nga ndërhyrjet e papërshtatshme në procesin demokratik kombëtar të Federatës Ruse. Dënojmë ashpër përpjekjet e deputetëve europianë për të manipuluar opinionin publik”, deklaroi Maria Zakharova, zëdhënëse e Kremlinit.

Rusët u janë drejtuar qendrave të votimit, në zgjedhjet parlamentare tre ditore, që sipas sondazheve do të fitohen nga partia në pushtet Rusia e Bashkuar, pavarësisht rënies së ndjeshme në sondazhe.

Zgjedhjet janë një test i rëndësishëm për pushtetin e presidentit Vladimir Putin përreth 11 zonave kohore, nga Oqeani Paqësor në detin Balltik, ndërsa Kremlini përballet me pakënaqësi në rritje për standardet e ulëta të jetesës dhe lidhjet e dobëta me perëndimin. Në lojë është supermaxhoranca e Rusisë së Bashkuar në Dumën me 450 vende, që vitin e kaluar e ndihmoi Putinin të kalonte reformat e rëndësishme kushtetuese.

“Pikë së pari, e kemi për detyrë të votojmë. Së dyti, duhet të mbështesim qeverinë dhe të bëhemi të dobishëm për njerëzit”, thotë një votuese. Votimi vijon deri në orët e vona të së dielës, dhe do të jetë një tregues për zgjedhjet presidenciale të 2024-s.

69-vjeçari Putin, ish-zyrtar i KGB-së nuk ka thënë nëse do të rikandidojë në përfundim të mandatit në vitin 2024. Ai ka qenë në detyrë si president, apo kryeministër që prej 1999-ës. Kritiku më i ashpër i liderit të Kremlinit, aktivisti i burgosur, Aleksei Navalni shpreson që fushata taktike e udhëhequr nga ekipi i tij në ekzil, do të minojë përpjekjet e Rusisë së Bashkuar për një shumicë të re të theksuar.

Partia komuniste e drejtuar nga 77-vjeçari Gennady Zyuganov konsiderohet si rivali më i fortë i partisë në pushtet, e ndjekur nga LDPR e Vladimir Zhirinovsky.

Por të dyja këto parti mbështesin Putinin në shumicën e politikave kryesore. Aleatët e Navalnit i cilësojnë zgjedhjet një mashtrim dhe u kërkojnë mbështetësve të votojnë për kandidatët që sipas tyre kanë më shumë shanse të mundin Rusinë e Bashkuar.