Bota Zgjedhjet në Serbi, shqiptarët pretendojnë të marrin mbi 3 deputetë

Zgjedhjet në Serbi, shqiptarët pretendojnë të marrin mbi 3 deputetë

Në Serbi mbahen këtë të diel zgjedhjet presidenciale, zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe zgjedhjet lokale në Beograd.

Janë rreth 6 milionë e gjysmë shtetas serbë që do të kenë mundësi të votojnë.

Në këto zgjedhje të Serbisë, shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit garojnë me dy lista dhe pretendojnë të kenë tre deri në katër deputetë, raporton KosovaPress.

Në garë janë koalicioni i shqiptarëve të bashkuar, me kryesues të listës Shaip Kamberi dhe Alternativa Demokratike Shqiptare, me kryesues liste Shqiprim Arifi.

Qeveria e Kosovës nuk ka lejuar që serbët që jetojnë në Kosovë të votojnë siç ka ndodhur vitet e shkuara, duke thënë se duan të zbatojnë Kushtetutën e Kosovës.

Pritet të sigurojë një mandat tjetër, Vuçiç: Besoj në fitore bindëse

Partia Progresive e Serbisë, e presidentit Vuçiç, pritet të fitojë, sipas sondazheve, por ka pak gjasa të sigurojë një mazhorancë dërrmuese prej 188 vendesh nga 250 që ka Parlamenti serb.

Një sondazh i fundit i kompanisë “Faktor Plus”, i publikuar në të përditshmen “Blic”, e nxirrte partinë e Vuçiç fituese me 53% të elektoratit.

Ndërkohë që vet presidenti, që e hodhi votën në kuti në orët e para të së dielës, pret që të sigurojë një mandat tjetër 5-vjeçar.

“Sa i takon pritshmërive të mia, besoj në një fitore domethënëse dhe bindëse. Gjithashtu besoj se kushdo do të marrë atë që meriton, në përputhje me atë që kemi bërë dhe natyrisht në përputhje me atë që njerëzit presin për të ardhmen. Dhe në të ardhmen do të jetë kritike ruajtja e paqes, stabilitetit dhe progresi ekonomik”, u shpreh Vuçiç.

Grupimi i partive të ndryshme të opozitës, i quajtur Aleanca për Fitoren, pritet të dalë i dyti me 13.7 për qind të votave, ndërsa partneri i Vuçiç, Partia Socialiste e Ivica Daçiç e treta me 10.2 për qind të elektoratit.

Një ultranacionalist në vitet ’90, kur Serbia ndërmori spastrimet etnike në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë, Vuçiç u bë politikan pro-evropian në vitin 2008.

Por kritikët thonë se popullariteti i tij vjen si pasojë e stilit autokrat të udhëheqjes, që përfshin kontrollin e rreptë të mediave dhe punësimin në institucionet shtetërore vetëm të mbështetësve të tij.

Nisur nga kjo, opozita serbe ka deklaruar disa herë se zgjedhjet do të jenë të manipuluara dhe se persona fiktivë u janë shtuar listave zgjedhore.