Kryesore Zgjerim me 12 milje në Jon, Rama: Greqia nuk do gllabërojë ujërat...

Zgjerim me 12 milje në Jon, Rama: Greqia nuk do gllabërojë ujërat shqiptare

Pas deklaratës së kryeministrit helen Kyriakos Mitsotakis dje në Parlament se Greqia do të zgjerohet me 12 milje në Detin Jon, ka reaguar kryeministri i vendit, Edi Rama.

Me një shënim në faqen e tij zyrtare në “Facebook”, shefi i qeverisë thotë se vendimi i shtetit fqinj për t’u zgjeruar në Jon, nuk do të thotë se “Greqia do gllabërojë ujërat territoriale shqiptare, por se thjesht shteti fqinj po ushtron të drejtën që buron nga Konventa e të Drejtës së Detit, miratuar në Montego Bay në vitin 1982”.

“E vërteta është e thjeshtë. Kufiri detar nuk është si gardhi mes dy shtëpive dhe kur autoritetet greke thonë do zgjerohemi nga 6 në 12 milje, kjo nuk nënkupton se Greqia do gllabërojë ujërat territoriale shqiptare, por se thjesht shteti fqinj po ushtron të drejtën që buron nga Konventa e të Drejtës së Detit, miratuar në Montego Bay në vitin 1982. Sa për dijeni të njëjtin zgjerim, në ushtrim të së njëjtës të drejtë, Shqipëria e ka bërë dhe e ka depozituar në mars të vitit 1990 në Kombet e Bashkuara, çka nuk është kontestuar asnjëherë nga fqinjët tanë dhe qëndron në fuqi sot e përgjithmonë. Kjo e drejtë e jona, nuk është çështje negociate dhe negociatat për delimitimin e hapësirave detare nuk e cenojnë dot asesi të drejtën në fjalë. As për Shqipërinë, as për Greqinë”, shkruan Rama.

Ai thotë se deklarata e djeshme e homologut të tij grek ishte krejt korrekte dhe nuk ka arsye për keqintepretime.

“Deformimi skandaloz që iu bë asokohe një deklarate publike të Ministrit të Jashtëm grek për “zgjerimin nga 6 në 12 milje të ujërave detare të Greqisë” dhe sulmi i orkestruar kundër marrëveshjes së re për detin, ishte tipik rasti i ushqimit të paditurisë si argument me helmin e nacionalizmit. E njëjta deklaratë, krejt korrekte, e kryeministrit Micotaqis këto ditë, po ushqen përsëri padinë si argument tradhtie të qeverisë sonë”, thekson Rama.

Kreu i mazhorancës tregon më tej arsyet, të cilat sipas tij, po prodhojnë reagime kundër arritjes së një marrëveshjeje mes Greqisë dhe Shqipërisë.

“Arsyeja pse nxitësit e sulmit kundër marrëveshjes sonë me Greqinë, e cila ende mbetet për t’u kryer në frymën e dialogut dhe të qasjes konstruktive nga të dyja palët, nuk e duan arritjen e marrëveshjes, s’ka asnjë lidhje me të vërtetën e marrëveshjes që ende nuk është finalizuar. Ajo është thjesht, vetëm dhe mjerisht, një arsye lufte për pushtet”, shton Rama.

Kryeministri në fund të shënimit nuk heziton të japë një përgjigje të qartë për kritikët, të cilët e akuzojnë se për pushtetin e tij personal, po vë në pikëpyetje edhe interesin kombëtar.

Rama thekson se përkundër gabimeve në përditshmëri, ai dhe Partia Socialiste nuk e kanë dhe nuk do ta përdorin pushtetin kurrë në dëm të interesit kombëtar të Shqipërisë.

“Unë dhe Partia Socialiste, mund të kemi shumë të meta, mund të bëjmë plot gabime, por kurrën e kurrës nuk e përdorim pushtetin në dëm të interesit kombëtar! Ky virtyt e ka karakterizuar këtë parti qysh ditën e lindjes së saj dhe ndryshe nga të tjerët, të cilët nga padituria a babëzia ose nga të dyja bashkë, e kanë cenuar më shumë se njëherë interesin kombëtar në këto 30 vjet pluralizëm demokratik”, përfundon Rama.

LATINËT, GREKËT DHE DETI NË MES

Ignorantia non est argumentum, padituria nuk është argument thonë latinët.

Por…

Posted by Edi Rama on Thursday, 27 August 2020