Sport Zgjidhet misteri, nuk ka balsamosje, Maradona varroset pranë prindërve të tij

Zgjidhet misteri, nuk ka balsamosje, Maradona varroset pranë prindërve të tij

Qindra mijëra argjentinas iu bashkuan homazheve për idhullin e tyre Diego Armando Maradona, përpara se legjenda t’i drejtohej banesës së fundit. Arkivoli i ish-futbollistit u vendos, për orë të tëra, në Pallatin Presidencial në Buenos Aires, atje ku një numër i pafundmë njerëzish brohoritën ose thjesht i kaluan pranë duke e vështruar për herë të fundit.

Tifozët e tij ishin aq të shumtë saqë orari i vendosur për homazhe ishte i pamjaftueshëm dhe pamundësia për ta vizituar të gjithë solli përplasje të ashpra me forcat e rendit.

Përleshjet bënë që agjenda të shtyhej edhe me 3 orë, në mënyrë që edhe pjesa e mbetur të mund të përjetonte emocionet e fundit me legjendën e futbollit.

Gjatë pasdites, Maradona u përcoll drejt banesës së fundit, rrugëtim i cili nuk mund të mos ndiqej nga mijëra njerëz.

Lajmi se ylli i futbollit kishte lënë një testament ku thuhej se pas vdekjes dëshironte që trupi i tij të balsamosej, u hodh poshtë. “Pibe de Oro” u varros në Bela Vista, periferi e kryeqytetit, atje ku ndodhen edhe prindërit e tij. Me kërkesë të familjes, ceremonia e varrimit u zhvillua në mënyrë private.

Pas varrimit, e gjithë vëmendja u spostua në stadiumin “San Paolo” të Napolit, atje ku tifozët u mblodhën përpara ndeshjes së Europa League të Napolit, me këngë dhe flakadanë të kuq, duke nderuar ikonën e klubit të tyre. Nderimet, sikurse në Champions, u zhvilluan edhe në të gjitha ndeshjet e Europa League, por me fokus te sfida mes Napolit dhe Rijekës. Të gjithë futbollistët zbritën në fushë me fanellën numër 10 të Maradonës.