Sport Zhduken dy ortakë, shitja e Milan kthehet në barcaletë

Zhduken dy ortakë, shitja e Milan kthehet në barcaletë

Djalli i shkretë. Epoka e Milani kinez duket se nuk do të fillojë as këtë herë. Kjo situatë është si ato kutitë kineze që hapen njëra pas tjetrës në pafundësi. Kur kishin mbetur vetëm tri ditë nga shitja përfundimtare e klubit është vendosur për një shtyrje tjetër.

Duket një barcaletë, nga ato që nuk bëjnë as për të qeshur, por është pikërisht kështu.

Data e re për shitjen e të gjitha kasioneve të klubit milanez është 31 marsi.

Gjithçka duhej të ishte mbyllur të premten, më 3 mars. I shkreti Milan dhe të shkretët milanistë. Të gjithë meritojnë një sqarim, por ky udhëtim duket se do të vazhdojë në mjegull dhe me dritat fikur. Sa herë që duket një dritë në horizont vjen një re akoma më e dendur.Të martën janë zbuluar emrat e dy njerëzve që, bashkë me Marco Fassone, duhej të përfaqësonin pjesën italiane të këshillit të ri.

Asambleja e ortakëve për të krijuar këshillin e ri administrativ duhej të mblidhej sot.

Drita në mes të mjegullës përfaqësohej nga dy emra të rëndësishëm, Marco Patuano, ish-administrator i deleguar i Telecom Italia, sot në drejtim të kompanisë së familjes Beneton, dhe Roberto Cappelli, president i përkohshëm i Roma-s në të kaluarën, avokat dhe këshilltar i Unicredit.

Këto dy emra i jepnin më shumë seriozitet operacionit. Por mbrëmjen e djeshme ka ardhur lajmi për zhdukjen e dy ortakëve kinezë (dhe 100 milionë eurove flitet) që ka sjellë shtyrjen e radhës. Shtyrje që është shoqëruar me buzëqeshjet dashakeqe të atyre që kanë pasur gjithmonë dyshime në lidhje me operacionin.

Problemi në këtë pikë është kryesisht një: çfarë të ardhme mund t’i garantojë Milan-it një grup si ky? Ku mund të shkohet me një fond investimesh që humb pjesët akoma para se të krijohet? Nuk është kjo e ardhmja që meriton Milan. Shumë dyshime, shumë pasiguri, shumë mistere për të qëndruar të qetë. Edhe pse po afrohet dita e rinovimit të kontratës me Gigio Donnarumma, lojtari që duhej të ishte simboli i epokës së re dhe i Milan-it të ri.

Një Milan që tani duket se po kthehet në një barcaletë, që nuk bën aspak për të qeshur./Gazzetta dello Sport