Aktualitet Zhduken pa lënë gjurmë grabitësit e Rinasit

Zhduken pa lënë gjurmë grabitësit e Rinasit

Dy ditë pas grabitjes së lekëve në Aeroportin e Rinasit, policia ende nuk ka rënë në gjurmët e autorëve. Operacioni për gjetjen e tyre është zhvendosur mes Krujës dhe Fushë-Krujës, pasi policia ka dyshime se ata mund të fshihen në këtë zonë.

Në fshatin Dritas, shumë afër vendit ku ndodhi shkëmbimi i zjarrit, mes policisë dhe grupit ku bënte pjesë Admir Murataj, u gjet e djegur një makinë.

“Grabitësit, pasi realizuan vjedhjen e parave në Aeroportin e Rinasit, dyshohet se dogjën një prej tre mjeteve në brendësi të tunelit të fshatit Dritas”.

Ai është një furgon “Mercedez-Benz” me ngjyrë të bardhë. Brenda tij policia gjeti armatime dhe municione të shumta. Pas këqyrjes, ekspertët nuk mundën të mbledhin prova të vlefshme për hetimin.

“Grabitësit, për të çoroditur policinë, dogjën një tjetër mjet në zonën mes Bathores dhe Paskuqanit”.

Grabitja e armatosur ndodhi rreth orës 15:00 të së martës. Autorët u futën me një furgon me targa false dhe me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”. Dy prej tyre lëvizën betonin dhe prenë zinxhirët që mbanin të mbyllur portën. Më pas hynë në pistë dhe nën kërcënimin e armëve grabitën paratë.

Në kohën kur ata po largoheshin u përplasën me policinë dhe nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i vrarë Admir Murataj, organizator i të paktën 3 grabitjeve të tjera të parave të bankave. Identifikimi i tij u bë pas bashkëpunimit me palën greke, që solli konfirmimin e analizave të gjurmëve të gishtërinjve, pasi Murataj kishte qenë i arrestuar në vendin fqinj për disa grabitje.

/Tv Klan