Kryesore “Zhduket” gripi sezonal në Shqipëri, deri tani nuk raportohet për asnjë rast

“Zhduket” gripi sezonal në Shqipëri, deri tani nuk raportohet për asnjë rast

Në Shqipëri nuk është izoluar ende asnjë rast me gripin e zakonshëm të stinës, edhe pse java e tretë e janarit konsiderohej çdo vit si piku i virusit të gripit.

Sipas nëndrejtorit të Institutit të Shëndetit Publik, Dritan Ulqinaku, në këtë institut nuk është izoluar ende asnjë rast me grip.

“Themi që shyqyr të paktën na lë pak frymë për t’u marrë me Covid-in, por kjo nuk do të thotë që nuk mund të mos fillojë shumë shpejt. Ne nuk kemi të izoluar, që do të thotë jo që nuk qarkullon por nuk kemi një mbingarkesë të shërbimeve shëndetësore”,– ka thënë Ulqinaku për TCH.

Sipas tij, disa studime thonë se dy infeksione s’mund të mbijetojnë njëkohësisht me njëri-tjetrin edhe pse bëhet fjalë vetëm për hamendësime.

“Ka edhe shumë studime që thonë dy infeksione nuk mund të mbijetojnë njëkohësisht me njëri tjetrin, ndoshta është më shumë dominant dhe si të thuash ka dominuar infeksionet e gripit. Por të gjitha këto janë aludime”, shtoi ai.

Ndërkohë, java e dytë e vaksinimit anti-Covid në Shqipëri ka nisur sot me personelin shëndetësor të pavionit të Pediatrisë, ku trajtohen fëmijët e prekur nga koronavirus.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu pa nga afër procesin e vaksinimit, ndërsa tha se vaksinimi kundër Covid-19 do të vijojë në mënyrë të kombinuar. Ajo tha se deri tani janë vaksinuar 447 mjekë, epidemiologë dhe infermierë, të cilët shërbejnë në vijën e parë të frontit.

Ministrja shtoi se vaksinimin do të vijojë jo vetëm për personelin e spitaleve Covid, por edhe për linjën e parë të mjekëve në shërbimet e urgjencës dhe reanimacionit, si edhe vaksinimi i kombinuar me të moshuarit e Shtëpive të të Moshuarve.

Ajo tregoi gjithashtu se përveç kontratës me Pfizer, pritet këtë javë një përgjigje nga COVAX për kohën e shpërndarjes së vaksinave të para.