Sport Zidane: Fitore grupi; Koeman: VAR përdoret vetëm kundër Barçës

Zidane: Fitore grupi; Koeman: VAR përdoret vetëm kundër Barçës

Reali i Madridit shkelmoi krizën e rezultateve të javës së fundit, pasi ai doli të triumfojë me rezultatin 1-3 në “Camp Nou” ndaj Barcelonës, rezultat ky që largoi njëherë e mirë edhe dyshimet mbi të ardhmen e Zinedine Zidane.

Tekniku francez u shfaq mjaft i kënaqur për fitoren në Katalunjë, por theksoi se janë vetëm tre pikë dhe se skuadra duhet të shohë përpara, duke nisur nga ndeshja e të martës në Ligën e Kampionëve.

“Nuk është e lehtë të vish dhe të fitosh në “Camp Nou”, ndaj jam shumë u lumtur për këtë sukses. Ishte një fitore grupi, por vlen vetëm tre pikë, ndaj nga nesër duhet të nisim të mendojmë për ndeshjen e të martës në Ligën e Kampionëve. Barcelona luan shumë hapur dhe kjo na lehtësoi gjetjen e hapësirave, ndryshe nga ndeshjet kundër skuadrave që mbyllen në gjysmëfushën e tyre”, u shpreh trajneri francez.

Mjaft i zhgënjyer u shfaq ndërkohë holandezi Ronald Koeman, që humbi El Clasicon e parë si trajner i Barcelonës. Ai vlerësoi maksimalisht paraqitjen e të tijve, por e kapi me VAR-in, pasi akuzoi se u përdor vetëm kundër katalanëve.

“Në nivelin e lojës jam i kënaqur, pasi zhvilluam një ndeshje të mirë. Në minutat e fundit rrezikova më shumë se duhet, por ishim në humbje dhe nuk bënte ndryshim nëse ndeshja do mbaronte 1-2 apo 1-3. Megjithatë jam shumë i zhgënjyer me përdorimin e VAR-it. Për mua penalltia për Realin nuk ishte dhe aty u vendos fati i ndeshjes. Për më tepër, dua që arbitrat të më sqarojnë si funksionon ky sistem, pasi po shoh që përdoret vetëm për episode kundër Barcelonës”, tha Koeman.