Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, nga Kalimashi ka thënë se situata aty është vënë nën kontroll dhe po punohet për shuarjen e të gjitha vatrave të zjarrit. Në një prononcim për mediat, ministri tha se vënia nën kontroll e flakëve është bërë dhe fal ndihmës së ushtrisë së Kosovës, që janë ende në terren duke punuar.
“Ka rreth 150 deri 200 trupa të angazhuar. Gatishmëria është e lartë dhe është shmangur rreziku dhe tuneli po vijon punën normalisht. Kjo ka qenë nata e djeshme në tunelin e Kalimashit. Por po vijohet dhe në malin e Rrunës, aty kemi marrë dhe një kontribut nga trupat e Kosovës dhe dua të falenderoj ministrin Mehaj që ka qenë në kontakt me mua. Trupat e Kosovës kanë ardhur menjëherë dhe sot janë në operacion. Jemi duke punuar dhe mendoj se situata po vihet nën kontroll”, tha ministri.
Më tej teksa u pyet nëse është ndërhyrë me vonesë në fikjen e zjarreve, Peleshi hodha akuza dhe tha se është në dorë kriminale që ndez zjarret. Duke treguar shembullin e malit të Dukatit, ministri tregoi se sa u fik zjarri kanë identifikuar një person që ka aktivizuar vatra të reja.
“Ka një dorë kriminale që po na ndjek nga mbrapa, ne fik dhe ata ndez. Tani jam i sigurt për këtë gjë. Nuk ka munguar gatishmëria në punën tonë”, tha ai.