Kryesore Zjarrfikësi hero që refuzoi maskën e oksigjenit për t’u rikthyer të shpëtojë...

Zjarrfikësi hero që refuzoi maskën e oksigjenit për t’u rikthyer të shpëtojë jetë nga rrënojat

Prej më shumë se 16 orësh vendi është duke përjetuar ngjarjen më të rëndë të dekadave të fundit.

Tërmeti i fortë me intensitet 6.4 të shkallës Rihter rrafshoi pallatet dhe ndërtesat, ndërsa deri më tani ka shkuar në 22 numri i viktimave.

Me orë të tëra ekipet e shpëtim-kërkimit kanë luftuar me kohën për të nxjerrë të gjallë nga rrënojat.

Ndërkohë, një zjarrfikës vlonjat është cilësuar si “hero” nga banorët në Durrës pasi ka arritur të nxjerrë të gjallë dy persona nga gërmadhat e një banese të shembur në rrugën “Shoqëria Bashkimi” në qytetin bregdetar.

Ja çfarë shkruan Rama për të:

Në ditë me diell, kjo do titullohej thjesht PHOTO OF THE DAY. Por sonte kjo foto kërkon shpjegim. Ky njeri i zakonshëm i këtij vendi, quhet Luan Kapaj. Zjarrfikës në Vlorë. Qysh pa gdhirë sot, Luani dhe kolegët e tij vlonjatë, ishin përballë gërmadhave. U gdhi e u ngrys dita dhe ky burrë që s’e njeh askush, nuk rreshti një sekondë, duke u përpjekur të nxjerrë nga duart e vdekjes, jetët e murosura nën pirgjet prej betoni.

E kur fuqitë e tij u duk se shterrën dhe Urgjenca Kombëtare Shëndetësore, e detyroi të shtrihej mbi barelë, vlonjati i paepur refuzoi maskën e oksigjenit dhe u rikthye tek gërmadhat, në kërkim të jetëve që kërkojnë shpëtim! Luani është ende aty, tani që po flasim.

Deri në frymën e fundit për frymën e fundit😢🙏

#HERO❤️