Sport Zlatan nuk njeh kufij, gati rinovimi me Milanin

Zlatan nuk njeh kufij, gati rinovimi me Milanin

Në shtëpinë e Milanit është kohë rinovimesh. Në ditët në vijim do të mbyllet marrëveshja e re me trajnerin Pioli, por drejtuesit Maldini dhe Massara po punojnë për nënshkrimin e kontratave të reja edhe me Hernandez, Bennacer dhe Leao. Edhe Zlatan Ibrahimobic është afër zgjatjes së bashkëpunimit me kuqezinjtë. Sipas “La Gazzetta dello Sport”, në fakt, në klubin kuqezi ndjesitë janë pozitive: nëse trupi i sulmuesit 40-vjeçar do ta përballojë ngarkesën fizike, siç ka bërë deri më tani, suedezi do të nënshkruajë për një sezon tjetër.

Pas disa muajsh, ndoshta në fillim të vitit, kur të mbyllet merkato dimërore dhe pasi të jenë përcaktuar rinovimet e tjera, Ibra dhe Milani do të diskutojnë për një kontratë të re deri më 30 qershor 2023 dhe nëse nuk do të ketë probleme me kushtet, firma do të jetë formalitet.

Harmonia mes suedezit dhe ambientit kuqezi është totale si dhe ambiciet individuale dhe kolektive janë në një linjë. Ibra do të donte të fitonte diçka me Milanin këtë sezon, të zgjaste kontratën deri në vitin 2023 dhe, ndërkohë, të merrte pjesë me Suedinë e tij në Kupën e Botës “Katar 2022”.

Nëse Zlatani do ta ruajë formën e këtij fillimsezoni edhe në muajt në vijim, aventura e tij me kuqezinjtë do të vazhdojë edhe për një vit.