Kryesore Zv.ministri italian përlotet: Dy prej mjekëve shqiptarë që prita në aeroport ishin...

Zv.ministri italian përlotet: Dy prej mjekëve shqiptarë që prita në aeroport ishin studentë të mi

Zv.ministri italian i Shëndetësisë është befasuar kur ka parë dy studentë të tij shqiptarë, të cilët kanë shkuar në Itali për të dhënë ndihmën e tyre në frontin e parë të luftës me koronavirusin.

Dy prej mjekëve dhe infermierëve të dërguar nga Shqipëria pak ditë më parë, ishin studentë të zv.ministrit Pierpaolo Sileri, i cili është me profesion mjek dhe ka dhënë mësim në Tiranë.

Ai tha se është emocionuar kur i ka parë ata duke zbritur në aeroport.

“Ishte gjë e bukur që dola prita këta 30 mjekë dhe infermierë. Mes tyre ishin dhe dy studentë të mi sepse unë kam dhënë mësim në Tiranë dhe nuk e dija. Ata u prekën. Të nesërmen u nisën direkt në veri të Italisë. Është me të vërtetë prekëse, shikoni, ndërkohë që e them më lotojnë sytë dhe besoj se nuk ka fjalë për një gjest të tillë. Faleminderit.” – tha Sileri.

Zv.ministri italian tha se do ia shpërblejë Shqipërisë këtë gjest solidariteti. “Ajo që mund të them është se mund të mbështeteni tek ne nëse keni nevojë. Ashtu si ne jemi mbështetur ne tek ju. E njoh popullin shqiptar sepse kam dhënë mësim atje për shumë vite dhe kam parë të rinjtë që studionin Mjekësi dhe sinqerisht për mua janë vëllezër, janë evropianë janë italianë ashtu si unë jam shqiptar”, tha ai.

Fjalët e tij mund t’i ndiqni në minutën 02:48 të videos së mëposhtme.