Aktualitet Zvarritet hetimi për CEZ

Zvarritet hetimi për CEZ

Shpërndaje

Pas zhurmës dhe bujës për rihapjen e hetimeve mbi privatizimin e OSSH nga CEZ, tashmë pritet që edhe kjo dosje të zvarritet për faj të procedurës.

Siç thonë burimet, prokuroria i ka kërkuar gjykatës së Tiranës që të zgjasë dhe me tre muaj të tjerë afatin e hetimeve për të kryer veprime të tjera shtesë, mbi procedurat se si u privatizua kompania për të cilën komisioni hetimor parlamentar pretendoi një dëm prej 414 milionë euro.

Shkak për këtë lutje të drejtuar gjykatës, janë bërë dy letërporosi të përcjella Francës dhe Kosovës për të njoftuar një nga njerëzit që shpresohet se do të flasë për dyshimet. Në këto dy vende rezulton të jenë adresat e shtetasit Nue Kalaj, i përfolur vitet e fundit si ndërmjetës e sekser në këtë proces.

Dosja CEZ është verifikuar edhe më herët në të njëjtën prokurori, por destinacioni i saj ishte pushimi i hetimeve. Por urdhërit të gjykatës për të rihapur dosjen akuza i nisi me vrull veprimet e para hetimore.

Mes të pyeturve në prokurori ishte Shkëlzen Berisha dhe ish ministri i kabinetit Berisha, Genc Ruli. Për të dy ata, sikurse edhe për Nue Kalajn u la detyrë nga gjykata. Por siç është provuar tashmë, çështja e letërporosive është një histori dështimesh për autoritetet shqiptare. Prej një viti prokuroria është peng i leterporosisë për dosjen e bujshme Imsi Catcher, e po ashtu gjatë këtyre 3 muajve të fundit edhe e dosjes Tahiri-Habilaj. Të paktën kështu ka ndodhur deri më tani me Imsi Catcher, një histori që bëri zhurmë e më pas u harrua me kohën. Prokuroria ka edhe një muaj kohë, e më pas edhe kjo çështje rrezikon të pushohet./ TCH