Kuriozitete Zvicra ofron kasaforta shkëmbore në Alpet për milionerët

Zvicra ofron kasaforta shkëmbore në Alpet për milionerët

E njohur për një kohë të gjatë si një bastion diskret dhe i sigurt i parave, Zvicra së shpejti do t’i ofrojë të pasurve të botës një zgjedhje tjetër për ruajtjen e pasurive të tyre: kasaforta shkëmbore të gdhendura në ultësirat e Alpeve.

Ideja vjen nga sipërmarrësit në Zvicrën qendrore, që strehon masivin e Bruenig, një mal rreth 25 milje në jugperëndim të Lucernit. “Dhoma juaj e thesarit në një masiv të fortë shkëmbi”, thotë Bruenig Mega Safe AG, firma që ndërton kasafortat, në faqen e saj të internetit, ndwrsa shton: Vend i sigurt për ruajtjen e pasurive tuaja dhe të dhënave të ndjeshme”.

Kompania planifikon të përdorë një hapësirë ​​brenda malit ekuivalent me rreth 10 fusha futbolli, sipas anëtarit të bordit Hugo Schittenhelm. “Por ne gjithashtu mund të shumëzojmë atë hapësirë ​​nëse është e nevojshme”, tha ai.

Të pasurit e botës po kërkojnë gjithnjë e më shumë siguri pasi pandemia ka tronditur tregjet dhe trazira civile kanë shpërthyer nga SHBA e deri në Hong Kong e Londër. Ndërsa disa kanë frikë nga një recesion global ose nga katastrofa natyrore, të tjerët po kërkojnë të shmangin depozitat bankare pasi normat negative të interesit i detyrojnë huadhënësit të faturojnë për mbajtjen e parave të gatshme.

Muret shkëmbore sigurojnë një lagështi relative të vazhdueshme prej 40% dhe temperaturë 12 gradë celsius. Çmimet fillojnë nga 500 mijë dollarë e sipër.

Përveç ruajtjes së sendeve me vlerë, siç janë vepra arti, ari, certifikata aksionesh apo edhe makina klasike, këto dhoma janë “ideale si një vend për aktivitete që duhet të plotësojnë kërkesa të larta sigurie”, tha firma.

Klientët e mundshëm

Projekti është duke u bërë në bashkëpunim me Gasser Felstechnik AG, një kompani që specializohet në inxhinieri shkëmbore dhe ndërtime nëntokësore. Kasafortat do të ndërtohen ngjitur me disa biznese ekzistuese Gasser të vendosura në masiv, duke përfshirë një zonë qitje, një gastropub, një depo eksplozivi dhe një strukturë për trajnimin e zjarrfikësve në trajtimin e emergjencave të tunelit të transportit.

Bruenig Mega Safe është në bisedime me rreth një duzinë klientë të mundshëm, përfshirë zyrat e familjes, galeritë e artit dhe individë të pasur, tha Schittenhelm. Pronarët e kasafortave janë përgjegjës për koston e ndërtimit të dhomave, ndërsa kompania do të sigurojë shërbime, siguri dhe shërbime të tjera. Konsumatorët do të kenë qasje gjatë gjithë ditës përmes një tuneli mjaft të madh për të akomoduar kamionë.

Përveç të qenit më i sigurt, një kasafortë me gurë është gjithashtu më e lirë për t’u ndërtuar, tha Schittenhelm. “Do të merrni miratime më të shpejta për ndërtimin, çatia nuk mund të dëmtohet dhe nuk keni nevojë për tela me gjemba dhe qen.”

Ndërsa interesi më i madh deri më tani ka ardhur nga qytetarë dhe firma zvicerane, kompania po kërkon gjithashtu të tërheq klientë nga qendrat e pasurisë si Hong Kongu dhe Singapori, tha Schittenhelm.

Bruenig Mega Safe ka nevojë për rreth 7 milion franga zvicerane (7.5 milion dollarë) nga klientët fillestarë për të filluar ndërtimin, tha ai. Puna është planifikuar të fillojë në fillim të vitit të ardhshëm, dhe kasafortat e para duhet të jenë në dispozicion rreth 18 muaj më vonë.