Kryesore ZYRTARE/ Haki Çako: Arrestuam autorin e vrasjes së komisar Artan Cukut

ZYRTARE/ Haki Çako: Arrestuam autorin e vrasjes së komisar Artan Cukut

Mikel Shallari është arrestuar me urdhër të prokurorisë si ekzekutori i dyshuar i komisar Artan Cukut, ka konfirmuar Haki Çako, drejtori i Policisë së Shtetit.

“Pas një pune intensive profesionale të strukturave për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit si dhe ato të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim të ngushte dhe në drejtimin procedurial të Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë, në vlerësim të informacione, formave dhe metodave policore dhe shkencore, por edhe në bashkërendim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe policitë e vendeve të Bashkimit Europian, më datë 10.06.2017, u bë i mundur ekzekutimi i urdhër-ndalimit të Prokurorit  për të dyshuarin e vrasjes së ndodhur më datë 08.04.2017, ku është vrarë me armë zjarri shtetasi Artan Cuku, ish-oficer policie.  Autor i kësaj ngjarjeje është shtetasi: Mikel Edmond Shallari, i datëlindjes 1993, lindur në Kuçovë dhe banues në Qytetin Studenti, Tiranë. Vazhdon puna intensive për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje“, tha Çako.

Çako bëri me dije se po punohet edhe për arrestimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të ngjarjes.

“Provat e grumbulluara deri në këtë moment janë të konsiderueshme bazuar në Kodin e Procedurës Penale. Vazhdojmë punën për dokumentimin e plotë edhe të bashkëpunëtorëve”, tha CCako.

I pyetur nëse është një vrasje me pagesë, Çako tha se “detajet i përkasin hetimit dhe çdo moment tjetër do të zbardhet në një moment të dytë”.