Kryesore Zyrtare, Messi do të largohet nga Barcelona: Çfarë ndodhi?

Zyrtare, Messi do të largohet nga Barcelona: Çfarë ndodhi?

Ndarja vjen pas 21 vitesh. Lionel Messi nuk do të luajë më asnjë lojë tjetër me fanellën e Barcelonës.

Barcelona ka njoftuar të enjten se klubi nuk do të jetë në gjendje që ta mbajë Lionel Messi-n në klub, duke njoftuar divorcin pas 21 vitesh. Klubi katalanas ka deklaruar se dy palët ranë dakord për rinovimin e kontratës, por rregullat ekonomike të La Liga-s nuk e lejuan që situata të bëhet realitet.

“Edhe pse është arritur një marrëveshje mes FC Barcelona dhe Leo Messi dhe me synimin e qartë të të dyja palëve për të nënshkruar një kontratë të re sot, nuk do të jetë e mundur të zyrtarizohet gjithçka për shkak të pengesave ekonomike dhe strukturore (rregulli i ligës spanjolle).

Përballë kësaj situate, Lionel Messi nuk do të mbetet i lidhur me FC Barcelona.

Të dyja palët janë thellësisht të hidheruara që në fund dëshirat e lojtarit dhe klubit nuk mund të përmbushet. Barça falënderon lojtarin për kontributin e tij dhe i uron atij më të mirat në jetën e tij personale dhe profesionale”, shkruan ekipi i Barcelonës.

Messi do të jetë lojtar i lirë dhe Manchester City-n është skuadra më e favorizuar për të nënshkruar me të. Aty do të rigjejë Pep Guardiolën.

Rregulli që largoi Messin nga Barça

Barcelona ia ka vënë fajin rregullave financiare të imponuara nga La Liga sa i përket largimit të Leo Messi-t nga blaugranat. Mes palëve është spekuluar se ka pasur një marrëveshje verbale dhe pritej vetëm zyrtarizimi. Megjithatë sot erdhi bomba. Leo Messi-n nuk do ta shohim më me fanellën e Barçës. Klubi katalanas sqaronte se mes tyre ishte rënë dakord për një rinovim të kontratës, por ishte e pamundur për t’u formalizuar për shkak të pengesave ekonomike nga rregullat e La Ligas.

Por për çfarë rregullash bëhet fjalë?

Gjiganti katalanas e ka pasur të pamundur që të regjistrojë kontrata të reja në një kohë kur për 10 ditë nis sezoni i ri. Kjo për shkak se Barça e ka të vështirë që të veprojë, ndërkohë që punon mbi limitin e pagave, një kufi i imponuar nga La Liga dhe është votuar nga klubet anëtare të saj. Kjo do të thotë që të gjitha klubet duhet të veprojnë brenda aftësive të tyre të shpenzimeve.

Këto kufizime buxheti për çdo klub bazohen në fitimet, të ardhurat nga të drejtat televizive, përfitimet dhe humbjet, kostot, investimet dhe shlyerjen e borxheve. Për çdo klub kryhet audit ku përcaktohet edhe tavani i shpenzimeve që të justifikojë të ardhurat për çdo klub.

Siç theksohet nga The Athletic, këtë vit Blaugrana kanë një kufi për të shpenzuar prej 160 milionë eurosh. Për ta kuptuar më mirë, kufiri i pagave të klubit për fushatën e ardhshme është më pak se një e katërta e limitit të tyre që kishin për sezonin 2019/20. Dy vjet më parë ishte 671 milion Euro, më e larta se çdo klubi sportiv.

Ky reduktim bën që Barcelona të jetë në probleme të mëdha financiare. Siç kanë shkruar mediat më herë, këtë vit, klubi ka pasur probleme edhe me borxhet.

Prandaj për të qenë në rregull me financat, Barça duhet që të lirojë 200 milionë Euro nga pagat përpara se sezoni të nisë. Përndryshe përveç Messi-t, Barça do duhet që të mos regjistrojë as blerjet e verës, siç janë Sergio Kun Aguero, Memphis Depay, Eric Garcia dhe Emerson Royal.