Sport Zyrtare: Solskjaer, kontratë 3-vjeçare me Manchester United

Zyrtare: Solskjaer, kontratë 3-vjeçare me Manchester United

Tashmë është zyrtare, Ole Gunnar Solskjaer do të jetë trajner i përhershëm i Manchester United. Norvegjezi ka nënshkruar kontratë 3-vjeçare me “Djajtë e Kuq” pas kali provën si trajner i përkohshëm, pas shkarkimit të Jose Mourinhos në muajin dhjetor.

Gjatë kësaj periudhe e ka drejtuar skuadrën në 19 ndeshje, duke fituar 14 prej tyre. Një ecuri mbresëlënëse që ktheu Manchester Unitedin në garën për zonën Champions në Premier League, pa harruar edhe kualifikimin e “Djajve të Kuq” në çerekfinale të Championsin, ku do të përballet me Barcelonën.

Solskjaer arriti të merrte më të mirën nga futbollistë të tillë si Paul Pogba, Marcus Rashford dhe Anthnony Martial, prania e të cilëve në “Old Trafford” me Mourinhon në stol ishte vënë seriozisht në diskutim.

“Që nha dita e parë kur e morë detyrën jam ndjerë si në shtëpinë time. Është nder i madh të kesh qenë lojtar i Manchester United e më pas të vijosh karrierën si trajner në këtë klub. Muajt e fundit kanë qenë një eksperiencë fantastikë. Dua të falënderoj të gjithë trajnerët, lojtarët dhe pjesëtarë të stafit për punën që kemi bërë në këtë periudhë të shkurtër. Kjo është puna që kam ëndërruar gjithmonë dhe jam shumë i lutur që më është dhënë shansi të jem trajner për një kohë të gjatë. Shpresoj shumë të arrijmë ato suksese që tifozët e këtij klubi i meritojnë,” u shpreh norvegjezi për sajtin e klubit.

Ole Gunnar Solskjaer ka admirimin e një legjende si Sir Alex Ferguson, ndaj dhe drejtuesi i lartë të United, Ed Woodward, e ka mbështetur norvegjezin derisa iu dha mundësia për të firmosur për tre vjet.