Sport Zyrtare/ Tottenham zgjedh Jose Mourinho për pankinën

Zyrtare/ Tottenham zgjedh Jose Mourinho për pankinën

Kur ka kaluar më pak se një vit nga koha kur u shkarkua nga stoli i Manchester United, Jose Mourinho gjeti një tjetër pankinë dhe sërish në kampionatin anglez, por këtë herë në Londër, në stolin e Tottenham.

Drejtuesit e klubit londinez vendosën të shkarkojnë Maurizio Pocchettinon mbrëmjen e djeshme ndërsa pak më vonë, nëpërmjet një komunikate zyrtare komunikuan se në vendin e tij në stol do të ulet Jose Mourinho.

Pocchettino drejtoi Tottenhamin përreth 5 sezone e gjysmë, duke arritur rezultate mjaft të mirë, ku përfshihet edhe një finale në Ligën e Kampionëve, por starti i këtij sezoni për “Spurs” ka qenë për t’u harruar me vetëm 14 pikë në 12 ndeshje.

Tottenham bëhet kështu skuadra e tretë e Premier Leagues, që drejtohet nga Jose Mourinho, i cili do të bëjë debutimin në stolin e “Spurs” të shtunën në orën 13:30, në përballjen në transfertë përballë West Hamit.

Ndërkohë në komunikatën e shpërndarë nga klubi londinez, Tottenham dhe Mourinho kanë nënshkruar një kontratë që do t’i mbajë të lidhura palët deri në qershorin e 2023-shit, duke konfirmuar besimin reciprok për fillimin e një projekti afatgjatë.

Mourinho, i cili do të marrë pothuajse dyfishin e pagës së paraardhësit të tij Mauricio Pochettino me 15 milion £ në vit, tha: “Jam i gëzuar që po bashkohem me një klub me një trashëgimi kaq të madhe dhe mbështetës të tillë pasionantë.

Cilësia si në skuadër ashtu edhe në akademi më emocionon. Puna me këta lojtarë është ajo që më ka tërhequr”.