Aktualitet 1 Maji, Meta: Fuqia punëtore e kualifikuar vazhdon të largohet masivisht

1 Maji, Meta: Fuqia punëtore e kualifikuar vazhdon të largohet masivisht

Në Ditën Ndërkombëtarëve të Punëtorëve, Presidenti Ilir Meta ka bërë thirrje për një reflektim të thellë për të vepruar dhe për të dëgjuar zërin e tyre.

Në një postim në rrjetet sociale, kreu i shtetit thotë se edhe ky vit e ka gjetur vendin tonë me nivelin më të ulët të pagës në rajon dhe Europë. Kjo ka bërë që fuqia punëtore e kualifikuar të largohet masivisht, ndërkohë që tërmeti dhe pandemia i kanë dhënë një goditje tjetër duke mbyllur vende pune dhe duke thelluar varfërinë.

Meta ironizon edhe me qeverinë duke thënë se “Propaganda e të ushqyerit me lugën bosh dhe e suksesit ekonomik me video 3D na rendit sot të dytëve pas Gjermanisë, por është fakt se shumë mjekë, infermierë dhe specialistë po zhvendosen në Gjermani dhe në vende të tjera të BE për një jetë më të mirë”.

Postimi i plotë:

Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, edhe këtë vit, e gjen Shqipërinë me nivelin më të ulët të pagës në rajon dhe në Europë, ndërkohë që fuqia punëtore e kualifikuar vazhdon të largohet masivisht, në mungesë të të ardhurave të mjaftueshme, të kushteve më të mira e më dinjitoze të punës dhe pa shpresë për një të ardhme të afërt më të sigurt. Tërmeti dhe pandemia, me efektet e tyre negative dhe afatgjata në ekonomi, mbyllën me mijëra vende pune, kryesisht biznese të vogla e të mesme, duke e dëmtuar rëndë mirëqenien e familjeve të punëtorëve të thjeshtë, thelluar ndjeshëm mjerimin në shoqëri dhe frenuar zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Propaganda e të ushqyerit me lugën bosh dhe e suksesit ekonomik me video 3D na rendit sot të dytëve pas Gjermanisë, por është fakt se shumë mjekë, infermierë dhe specialistë po zhvendosen në Gjermani dhe në vende të tjera të BE për një jetë më të mirë. Ndërsa kjo situatë duhet të shërbejë për një reflektim të thellë dhe kur niveli i popullsisë që jetojnë me 5.5 USD/ditë është rritur me 41.5% është koha të veprojmë të gjithë së bashku për të dëgjuar zërin e punëtorëve, duke rritur mirëqenien dhe drejtësinë sociale të munguar.