Një prej gazetave më të mëdha në Britaninë e Madhe, “Daily Mail”, ekspozoi përmes një reportazhi investigativ një person që pretendon se dërgon emigrantë të paligjshëm në Angli nga Franca, kryesisht shqiptarë.
Sipas reportazhit të “Daily Mail”, trafikanti, i cili njihet si “Luani i Artë”, organizon kalimin me gomone nga Dunkirk në Francë, në brigjet angleze, përmes kanalit të La Manshit. Sipas medias britanike, ai siguron rreth 1 milionë paund të ardhura në javë nga ky aktivitet.
Djali, që duket rreth të 30-tave, u thotë gazetarëve që shtiren si persona që duan të shkojnë në Angli në mënyrë të parregullt, se duhet të paguajnë secili nga 4500 paund, si dhe u premton se me të mbërritur në anën tjetër të kanalit, policia britanike do t’u japë batanije, ushqim dhe pije. “Mund të qëndroni edhe 5 ditë në kamp, ose edhe 2 orë”, thotë trafikanti. “Por më pas, kur të kenë bërë verifikimet se nuk jemi person në kërkim, do t’iu kalojnë në hotel. Nga aty ik ku të duash”, thotë djali.
Sipas “Daily Mail”, ai është vetëm përfaqësues i njërit prej disa grupeve të organizuara që qëndrojnë në veri të Francës për të kaluar njerëzit në Angli, ku supozohet se ka një radhë prej 600 personash që presin të hipin në gomone. Me fjalët e tij armiku më i madh i udhëtimit “është moti”.
Deputetët në Britaninë e Madhe, kanë kërkuar ditën e djeshme veprime urgjente për të “shtrënguar” rrjetet e kontrabandës me gomone, që sigurojnë miliona paund në javë.
Sipas shifrave zyrtare të autoriteteve britanike, 32 mijë emigrantë të paligjshëm kanë kaluar kanalin e La Manshit këtë vit, më shumë sesa i gjithë viti 2021. Po sipas tyre, shqiptarët përbëjnë 60% të emigrantëve që kanë mbërritur përgjatë verës.
Udhëtimet me varka shpesh janë të rrezikshme dhe me raste, edhe vrastare. Nëntorin e kaluar, një varkë me 27 emigrantë u mbyt pranë brigjeve të Kalesë (Calais), mes të cilëve kishte edhe fëmijë.