10 ish-ministra të Jashtëm njëzëri i bëjnë apel vendeve anëtare të BE-së të çelin negociatat e anëtarësimit me Shqiperinë dhe Maqedoninë e Veriut. Letra është botuar sot në Frankfurter Allgemeine Zeitung, Euractiv dhe në disa media të rajonit, përfshirë Gazetën Panorama në Shqipëri.
“Kundërshtimi këmbëngulës ndaj hapjes së bisedimeve të pranimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, me gjithë rekomandimin e Komisionit Evropian dhe vullnetin e pjesës më të madhe të vendeve anëtare të BE-së, e të Parlamentit Evropian, e ka dobësuar ndikimin e mbetur të BE-së në pragun e vet, duke vënë në rrezik aftësinë e saj për të farkëtuar zhvillime strategjike e stabilitet në Evropën Juglindore”, thuhet në letër ndërsa apelohet BE të kapërcejë ndasitë për këtë çështje.
“Prandaj, hapja e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, mbi bazën e angazhimeve të tyre, është e domosdoshme dhe për të duhet të bihet dakord në Samitin e radhës të BE-së. Në të njëjtën kohë, ne i bëjmë thirrje BE-së të paraqesë instrumente të reja në Samitin e ardhshëm të Zagrebit, për të konsoliduar rrugën e pranimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, shkruhet ndër të tjera në këtë letër.
Letra e plotë
Vatrat e trazuara dhe tensionet përreth Bashkimit Evropian vazhdojnë: Siria, Iraku, Libia, Ukraina, Mesdheu Lindor. Në jug të Bashkimit Evropian po formohet një hark i paqëndrueshmërisë gjeopolitike. Ne nuk duhet të lejojmë që ai të zgjerohet. Stabiliteti, demokracia dhe prosperiteti në Evropën Juglindore lidhen drejtpërdrejt me konsolidimin e projektit evropian dhe përfundimin e ribashkimit të kontinentit tonë me pranimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Një proces që nisi 30 vjet më parë.
Kundërshtimi këmbëngulës ndaj hapjes së bisedimeve të pranimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, me gjithë rekomandimin e Komisionit Evropian dhe vullnetin e pjesës më të madhe të vendeve anëtare të BE-së, e të Parlamentit Evropian, e ka dobësuar ndikimin e mbetur të BE-së në pragun e vet, duke vënë në rrezik aftësinë e saj për të farkëtuar zhvillime strategjike e stabilitet në Evropën Juglindore.
Ky është një gabim strategjik që ndihmon në konsolidimin e status quo-së në Ballkanin Perëndimor dhe të inercisë së BE-së në një hartë gjeopolitike gjithnjë e më të rrëmujshme. Detyra e Bashkimit Evropian është të kontribuojë në stabilitetin dhe sigurinë e Evropës Juglindore. Prandaj, procesi i pranimit të Ballkanit Perëndimor në BE duhet të jetë një politikë e përgjegjshme dhe jo të konsiderohet si barrë.
Veç kësaj, kundërshtimi për të filluar bisedimet e pranimit me vendet e lartpërmendura minon autoritetin dhe besueshmërinë e BE-së. Për një rajon si Ballkani Perëndimor, që po bën çmos të forcojë sundimin e së drejtës dhe të përmirësojë standardet sociale e ekonomike, procesi i anëtarësimit në BE mbetet i pazëvendësueshëm. Sidoqoftë, më e rëndësishme për ndjeshmërinë e këtyre vendeve, të cilat e kanë hedhur spirancën e tyre te BE-ja, është impakti psikologjik i bisedimeve të pranimit dhe efektet transformuese që ato gjenerojnë. Mbi të gjitha, kjo është një çështje besimi. Që në vitin 2003, nga Samiti i Selanikut, udhëheqësit e BE-së u zotuan për anëtarësimin këtyre vendeve.
Në rrethanat aktuale, garancitë e dhëna nga BE-ja për vendet e rajonit nuk do të kenë më të njëjtën vlerë. Prandaj, do të bëhet gjithnjë e më e vështirë arritja e kompromiseve, për të kapërcyer mosmarrëveshjet bilaterale dhe për të çliruar energji pozitive. Kjo është një shenjë paralajmëruese për trazira të mundshme në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri, të cilat kanë besuar për një kohë të gjatë te mbështetja e BE-së. Kjo minon procesin e bisedimeve ndërmjet Serbisë e Kosovës dhe fuqizon forcat centrifugale në Bosnjë e Hercegovinë.
Procesi i pranimit në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor është gjithashtu një proces i shtet-ndërtimit dhe për të njëjtën arsye një proces stabilizimi për të gjithë rajonin. Ai përbën një strategji kyçe për të ushtruar një ndikim politik global të BE-së. BE-ja duhet të marrë përgjegjësitë e veta duke vepruar në mënyrë strategjike. Është pikërisht koha që BE-ja të shqyrtojë me kreativitet dhe të shoh në perspektivë rolin e vet brenda mjedisit të ri ndërkombëtar, me qëllim që të veprojë në mënyrë të pavarur në këtë mjedis dhe të forcojë kapacitetet e veta të politikës së jashtme e të mbrojtjes.
Ne i bëjmë thirrje BE-së të kapërcejë ndasitë për këtë çështje. Procesi i pranimit do të vazhdojë për shumë vite gjatë të cilave do të ketë kohë të mjaftueshme që nevoja për integrim të mëtejshëm brenda radhëve të BE-së të pajtohet me nevojën për të mbajtur gjallë perspektivën evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Prandaj, hapja e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, mbi bazën e angazhimeve të tyre, është e domosdoshme dhe për të duhet të bihet dakord në Samitin e radhës të BE-së. Në të njëjtën kohë, ne i bëjmë thirrje BE-së të paraqesë instrumente të reja në Samitin e ardhshëm të Zagrebit, për të konsoliduar rrugën e pranimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Nënshkruesit:
• Igor Luksiç, ish kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme të Malit të Zi.
• Sigmar Gabriel, ish zëvendëskancelar dhe ministër i Punëve të Jashtme të Gjermanisë.
• Vesna Pusiç, ish zëvendës kryeministre dhe ministre e Punëve të Jashtme të Kroacisë.
• Nikola Poposki, ish zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut.
• Nikolaos Kotzias, ish ministër i Punëve të Jashtme të Greqisë.
• Karin Kneissl, ish ministre e Punëve të Jashtme të Austrisë.
• Ioannis Kasoulides, ish ministër i Punëve të Jashtme të Qipros.
• Ditmir Bushati, ish ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë.
• Kristian Vigenin, ish ministër i Punëve të Jashtme të Bullgarisë.
• Goran Svilanoviç, ish ministër i Punëve të Jashtme të Republikës Federative të Jugosllavisë.