“Rrëfimet e vërteta” të mashtruesve që shfaqen herë pas here në media mund të përcaktohen nga “të rëndomta”, deri në “të pabesueshme”. Ju mund të mendoni se nuk do të bini kurrë pre e taktikave dredharake të këtyre personave, por ja që kjo nuk ndodh gjithmonë. Pavarësisht se krijoni besim te vetja se kjo nuk do të ndodhë një herë të dytë, gjërat nuk shkojnë gjithnjë sipas parashikimeve.
Një shfrytëzues është i interesuar të kalojë një natë me ju. Kërkuesit që studiojnë këto lidhje afatshkurtra priren të përqendrohen në pasojat afatgjata në shëndet. Ata mendojnë se të dyja palët janë të interesuara ta mbajnë lidhjen sa më afatshkurtër. Hulumtuesit kanë zbuluar se marrëdhëniet afatshkurtra të përqendruara te seksi, janë zakonisht të lidhura me shëndetin e dobët mendor.
Por çka e bën një mashtrues të ndryshëm nga ata që kërkojnë seks afatshkurtër, është se mashtruesi provon t’i manipulojë partneret të cilat mund të jenë në kërkim të një lidhjeje më të qëndrueshme. Këtu bëhet fjalë për mashtrues që shtiren sikur janë të një synimi me ju dhe më pas shfaqin haptazi të kundërtën.
Në disa mënyra, mashtruesit priren të përdorin taktika tradicionale që t’ju bindin. Çdokush mbështetet te mënyrat e bindjes për të ndikuar në sjelljen e dikujt tjetër.
Manipuluesve u duhet të ndikojnë te njerëzit që nuk i kanë takuar më parë, për t’i bërë t’i pëlqejnë pothuajse menjëherë. Për këtë mision mbështeten në strategji që të tjerët i përdorin për të bërë përshtypje të mirë, siç është të qenët tërheqës, me sharm ose të suksesshëm. Ndryshe nga një person vërtet i interesuar në përfshirjen në një lidhje romantike, manipuluesit nuk duken si persona që janë në kërkim të dashurisë, por shfaqen si narcistë dhe makiavelistë.
Psikologu Peter Jonason nga Universiteti Perëndimor dhe psikologu David Buss nga Universiteti i Teksasit, ekzaminuan ato që i quajtën “strategji afatshkurtra të çiftëzimit”, që nuk kanë aspak lidhje me zotimin afatgjatë.
Duke u bazuar në idenë se këta manipulues kanë karakteristika të ‘errëta’ të personalitetit, dy psikologët ndërmorën një qasje me dy faza për të identifikuar sjelljet dhe personalitetet e këtyre individëve.
Hulumtuesit nuk ndoqën stereotipat që mashtruesit janë gjithnjë meshkuj, por përfshinë në analizën e tyre edhe shumë femra. Nga 71 veprimet që rezultuan si përgjigje, disa varionin nga abuzimi verbal dhe fizik, deri te shmangia, si moskthimi i email-eve apo telefonatave. Ndërmjet këtyre ekstremeve, manipuluesit u përpoqën të ishin sa më të papërfshirë, shmangnin intimitetin trupor si përqafimet, bënin deklarata se po kërkonin seks afatshkurtër.
Strategjitë afatshkurtra të lidhjeve që kërkuesit identifikuan në këtë fazë të parë, u bënë më pas baza për një shkallë vlerësimi i një grupi tjetër pjesëmarrësish që kryen një studim të dytë.
Kësaj here u analizuan një numër prej 300 studentësh me përqindje pothuajse të barabartë femra-meshkuj. Pjesëmarrësit raportuan në prirjen e tyre për të kryer aktet e vazhdueshme me ato të mashtruesve dhe iu përgjigjën pyetjeve rreth sjelljes së tyre ndaj seksit rastësor, duke vlerësuar veten se sa partnerë të mirë besonin se ishin. Ata e vlerësuan veten edhe në bazë të personalitetit, si dhe në shkallën e elementeve të errët.
Për shkak se studimi u bazua në vetëvlerësim, ka gjasa që ata të ishin të prirë ta bënin veten të shfaqej sa më mirë të ishte e mundur. Nga studimi u zbulua se manipulueset femra ishin po aq intriguese sa edhe “homologët” e tyre meshkuj. Sipas përfundimeve rezultoi se njerëzit nuk ishin shumë të turpshëm të zbulonin sjelljet e tyre prej mashtruesi e manipulatori.
Minimizimi i përshkallëzimit të marrëdhënies në nivel afatgjatë dhe ruajtja e aspektit seksual në vend të atij emocional, ishin dy prej sjelljeve kryesore. Nëpërmjet shmangies së kontaktit, intimitetit dhe integrimit në jetën e personit tjetër, një manipulues sigurohet të marrë prej jush vetëm atë që synon.
Ka raste kur këta persona me synime të ngushta sillen në mënyrë abuzive kundrejt partnerit, si fizikisht edhe verbalisht. Për ta mbajtur lidhjen afatshkurtër, këta mbështeten në strategjinë e alkoolit si justifikim, duke lënë të kuptohet se marrëdhënia ishte vetëm seksuale dhe se kërkimi për partnerë të tjerë seksualë, do të vazhdonte.
Meshkujt dhe femrat kanë njëlloj gjasa të përdorin taktika që do e mbanin lidhjen të distancuar dhe thjesht seksuale. Megjithatë, kishte disa ndryshime gjinore. Meshkujt kishin më shumë gjasa të përdornin dhunë direkte ndaj partnereve, ndërsa femrat shfaqnin haptazi interesin për lidhje vetëm seksuale.
Ndër të tjera, këta persona manipulues, kishin prirje antisociale. Siç u parashikua, kishin më tepër gjasa të ishin narcistë dhe nuk i integronin partnerët në jetën e tyre. Femrave u interesonte ta mbanin lidhjen sa më larg intimitetit dhe fazës emocionale, ndërsa meshkujt ishin të interesuar të tregonin shkallë të lartë vigjilence.
Veprimet që bëjnë njerëzit për të mbajtur lidhje afatshkurta dhe sipërfaqësore:
- Veprimet e pasjellshme si dhuna verbale dhe abuzimi fizik
- Shmangia e intimitetit fizik
- Izolimi nga shoqëria dhe të njohurit
- Flirtimi haptas me të tjerët në praninë tuaj
- Të qenët i padisponueshëm
Shenjat psikologjike të manipuluesve
- Meshkujt duket sikur janë të interesuar vetëm për atë që ju mund të bëni për ta dhe nuk shfaqin dëshirë për t’ju ndihmuar
- Femrat vonohen, janë shpërfillëse dhe të pashqetësuara për takimin me ju
- Femrat duken të paqëndrueshme, në ankth dhe të pasigurta
- Të dyja gjinitë shqetësohen më shumë për pamjen e tyre
- Të dyja gjinitë tregojnë mungesë interesi për ndjenjat e tjetrit