Policia e Shtetit zbardhi atentatin ndaj biznesmenit Ardian Nikulaj dhe ka shpallur në kërkim 6 persona, një shqiptaro-britanik, një portugez dhe katër britanikë. Sipas policisë, dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive gjakmarrjeje
Gazetarja Klodiana Lala ishte e ftuar sonte “Opinion”, e cila bëri të ditura detaje të reja nga ngjarja.
Ajo u shpreh se zanafilla e gjakmarrjes mes familjes Nikulaj dhe Lekstakaj janë 10 mijë lekë të vjetra.
“Në lidhje me historinë e hakmarrjes, përplasjes mes familjes Nikulaj dhe Lekstakaj unë do e sqaroj. Është një histori që nis në 25 Qershor të ’97. Ka pasur një konflikt mes Fran Çulajt që ishte pronar i karburantit në Balldre, Pëllumb Nikulajt, po ashtu ka qenë një nga djemtë e familjes Nikulaj, i cili ishte shitës karburanti. Ka nisur debati për 5 ose 10 mijë lekë të vjetra për furnizimin e makinës me karburant.
Janë konfliktuar për 5 ose 10 mijë lekë të vjetra. Kjo është zanafilla e gjithë kësaj historie në 25 Qershor 1997. Është vrarë Fran Çulaj që ishte pronar i karburantit dhe është vrarë Pëllumb Nikulaj, vëllai i Ardian, Arben Nikulajt. Çfarë ka ndodhur më pas? Në atë kohë janë dyshuar Elton Lekstakaj, një nga djemtë e familjes Lekstakaj dhe kushëriri i tij Eri Lekstakaj. Elton Lekstakaj pas shumë përballjesh me drejtësinë, edhe pse ai është gjykuar në mungesë për shkak se u largua drejt Britanisë së Madhe ka marrë më vonë pafajësinë, ndërkohë Eri Lekstakaj është dënuar. Pas kësaj ngjarje në Shtator të ’97 është vrarë Gëzim Lekstakaj, i njohur si “Raci”. Në fakt shumë pak e kujtonin emrin e tij. Unë jam detyruar të marr vendimet gjyqësore dhe Laurent Gjetja, është djali i poetit shumë të njohur dhe të ndjerë tashmë, Ndoc Gjetja, i cili është një viktimë krejt rastësore. Nuk ka pasur asnjë lidhje me këtë histori. Asnjë lidhje me sherrin mes dy familjeve. Është nipi i njërit prej dy familjeve dhe është vrarë në arë duke punuar. Deri këtu ka qenë historia. Më pas në Shtator të ’99 është vrarë Gjovalin Lekstakaj dhe ndërkohë është plagosur rëndë dhe sot nuk ecën, Pjetër Lekstakaj. Pra janë dy vëllezër. Për këtë ngjarje është dënuar 78-vjeçari Nikollë Nikulaj i cili nuk e di nëse jeton më, por prokuroria dhe policia në atë kohë nuk e trajtuan si një histori gjakmarrjeje, por e trajtuan si një histori që i moshuari veproi për vetëmbrojtje sepse gjithë diskutimi ishte që një zetorist kishte shkuar për të punuar tokën e dy familjeve. Duke qenë se këta ishin në hasmëri pati përplasje aty. Mendohet që palët qëlluan dhe e trajtuan si një histori vetëmbrojtjeje.
Më pas mesa duke konflikti është thelluar sepse familja Lekstakaj, njëri nga djemtë e kësaj familje, Klodian Lekstakaj, i cili është në Britaninë e Madhe, pretendonte se i njihte autorët e dyshuar të ngjarjes për sa kohë kishte qenë dëshmitar. Kërkoi, dhe unë kam gjetur dokumente më pas, mbrojtje nga shteti dhe nuk u pranua për të dëshmuar për këtë gjë. Ardian Nikulaj më pas, ne e dimë dhe ta kam shpjeguar, ishte person shumë influent në zonë, ishte një person që konsiderohej “hambar” votash për forcën e tij politike, por edhe për forcat e tjera. Ndikonte në gjithë kahun politik. Nëse Ardian Nikulaj merrte një drejtim të caktuar, automatikisht politika do të shkonte në drejtimin e tij. Ishte një person i cili patjetër ka qenë drejtor i Aluiznit me probleme të theksuara… a qenë i përgjuar nga prokuroria për krime të rënda për tjetërsim pronash dhe dyshime për atë që konsiderohet grabitja e pronave në Shëngjin. Asnjëherë nuk u akuzua nga drejtësia shqiptare”, u shpreh Lala.