Ashtu siç ishte paralajmëruar, Kryeministri Edi Rama ka shkuar në Presidencë në orën 11:00 për t’u takuar me kreun e shtetit. Takimi është thirrur nga Presidenti Meta për të diskutuar për datën e zgjedhjeve.
Rama shoqërohej në takim nga Taulant Balla. Me të hyrë në zyrën e kreut të shtetit, ky i fundit nisi të shpjegonte përse i kishte thirrur konsultimet me përfaqësuesit e partive. Takimi zgjati diçka tek rreth 10 minuta. Në fund të fjalës së tij para kamerave, Meta ka pyetur Ramën dhe Ballën nëse duan çaj apo kafe. Burime nga takimi thonë se kryeministri ka pranuar çdo datë për zgjedhjet, përveç 2 majit që përkon me festën e Pashkëve ortodokse. Më herët PS ka thënë publikisht se preferon 9 majin për zgjedhjet e ardhshme, datë që përkon edhe me Ditën e Europës.
Para kryeministrit Edi Rama, në Presidencë ishin Shpëtim Idrizi, Nard Ndoka dhe përfaqësuesit e Partisë Republikane.
“Partia Republikane i ofroi presidentit datën 18 prill, si data më e afërt për zgjedhjet, duke vlerësuar mungesën e gjatë të legjitimitetit të Parlamentit shqiptar”, tha përfaqësuesi i PR-së.
Në bazë të ndryshimeve të fundit të miratuara në Kodin Elektoral, që reflektuan marrëveshjen politike të 5 qershorit, periudha zgjedhore në dispozicion të presidentit, brenda së cilës ai duhet të përcaktojë datën e zgjedhjeve, shkon nga 15 prill deri më 15 maj.