Autoriteti i Komunikimeve Postare dhe Elektronike, AKEP, ka gjobitur me 10 milion lekë kompaninë telefonike One Albania, për shkak të shkeljeve me afatet e shërbimeve, problemet teknike etj.
Vendimi i AKEP erdhi pas propozimit të një grupi inspektimi që kishin monitoruar kompaninë. Ndër të gjitha problematikat e renditura, e para qëndron procesi i portimit (transferim) të numrit, ku AKEP kërkon që “One t’i japë zgjidhje shkaqeve teknike dhe mungesës së koordinimit të cilat kanë çuar në shkelje të afateve maksimale të lejuara për portimin e numrit”.
Autoriteti i ka kërkuar kompanisë të rishikojë dhe riparojë të gjitha problemet teknike si edhe të dorëzojë aty raportime periodike.
Mungesa e njoftimeve është një tjetër pikë ku AKEP konfirmon se One ka kryer shkelje. Sipas Autoritetit, kompania nuk i ka dërguar abonentëve me kontratë njoftime për detyrimin e shërbimit, fatura etj, por ka vijuar ta tarifojë atë.
Po ashtu, është faktuar se mesazhet informuese të One nuk janë të detajuara dhe dërgohen në masë, e jo për secilin abonent sipas të dhënave. Para se One të shkëpusë shërbimin (bllokimin e numrit për mosrimbushje) ka për detyrim të presë 15 ditë dhe ta theksojë atë. Kjo nuk ka ndodhur.
AKEP vlerëson se shkeljet e One Albania janë sistemike.