Të paktën 10 trupa të pajetë u gjetën në anë të një rruge në veriperëndim të Meksikës një ditë pas një beteje të dhunshme mes karteleve të drogës. Sipas mediave meksikane, grupet rivale mendohet të ishin të djemve të El Chapo-s dhe të Rafael Caro Quintero-s.
“Fushëbeteja” ishte në rrugën që lidh qytetet Cabora dhe Sonoyta në shtetin Sonora, rreth 144 km larg kufirit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mediat lokale shkruajnë se 10 persona u grabitën të premten e kaluar pas një sulmi të nisur nga banda e Héctor Luis Palma Salazar, ish-ortakut të Joquin Guzman. Ndërsa viktimat mendohet se janë pjesë e grupit të Rafael Caro Quintero.
Pavarësisht ngjarjeve tragjike, mbetet ende e paqartë nëse djemtë e El Chapo-s, Jesús Alfredo Guzmán, Iván Archivaldo dhe Ovidio Guzmán López, janë në konflikt me organizatën e Caro Quintero-s. Që prej daljes së këtij të fundit nga burgu, mendohej se ata ishin bashkuar për të luftuar një tjetër kartel të fuqishëm droge “Jalisco Nueva Generacion” në shtetin Miçoakan.
Quintero, jeta e të cilit portretizohet në serialin “Narcos: Mexico”, ka qenë bashkëthemeluesi i Kartelit të Guadalaharës, me Miguel Ángel Félix Gallardo dhe Ernesto Fonseca Carrillo.
Në vitin 1985, Quintero ishte pjesë e grupit që urdhëruan vrasjen e agjentit të DEA-s Enrique Camarena, një histori që tregohet edhe në serialin e Netflix, Narcos Mexico. Quintero u arrestua në vitin 1985 dhe u dënua në Meksikë me 40 vite burg, por në vitin 2013 u la i lirë nga Gjykata për një kleçkë teknike. E kur Gjykata vendosi të nxirrte sërish një urdhër arresti, ai tashmë ishte zhdukur. Ai konsiderohet si “bosi i fundit i madh i narkotrafikut”, pas arrestimit të Joaquin El Chapo Guzman.