Nga Lutfi Dervishi
Nëntë muaj para zgjedhjeve gjithkush e ka të qartë se politika e vjetër duhet lënë mënjanë. Koha nuk vjen pas njerëzve, njerëzit shkojnë pas kohës.
Ditët kur dija, përvoja, ekspertiza apo ndonjë lidhje sado e vogël me realitetin kishin ndonjë peshe në rrugën për t’u bërë deputet, kane ikur një herë e për gjithmonë.
E ardhmja është këtu, e veshur me filtra, hashtag-e dhe adresa fallco.
1- Adhuro Algoritmin
Harro, rregullin, kodin, ligjin, kushtetutën madje edhe vetë votuesit.
E vetmja gjë që mund të të bëjë të zgjidhesh është te kuptosh si “punojnë” algoritmet.
Si ecin “story” në instagram, reels në Facebook, kercimet në TikTok. Duhet të ndjekësh algoritmin!
Nëse video duke i dhënë maces ujë me bishtin e lugës bëhet virale atëherë lë çdo punë tjetër dhe merru me macet.
2- Gjashtë Foto në Instagram… çdo ditë
Doza minimale e angazhimit politik është gjashtë foto në ditë. Po, gjashtë.
Qoftë një takim i inskenuar me fermerë ne Lushnjë që nuk i ke takuar kurrë, apo një foto “spontane” duke mbajtur një lopatë nga bishti. Dukja është gjithçka.
Mund të botosh edhe një foto ku dukesh mendueshëm ndërsa lexon një libër. Kujdesu që libri të mos dalë me koke poshtë.
3- Katër citate/këshilla në X
Idealisht duhet që të jenë thënie motivuese që duken të thella por që s’kanë asnjë kuptim, ose dykuptime. Diçka si #vetëmpërpara #shumëbëmëshumëdobëjmë #menjerëzitpërnjerëzit #ediramasyshqiponjë
4- Pesë postime në Facebook
Facebook është vendi ku mblidhen gjeneratat më të vjetra, por mos harro janë votuesit me të rregullt. Kështu që duhen të paktën pese postime: Një duhet të përfshijë një deklaratë të vagullt nostalgjike si, “e mbani mend greminen ku kemi qene një dekadë më parë?” Postimi i dytë duhet të jetë një këshillë shëndetësore me hashtagun #shendetesifalas. I treti? Një foto familjare që tregon se je ende një me popullin. Foto e katërt: një inspektim në kantiere #shqiperiapondryshon dhe foto e peste: një pamje çfarëdo me #skakohëpërpushim
5- Katër performanca në TikTok
Politika nuk është më debat; tani është edhe valle. Mesazhi: njerëzit nuk kanë halle. Duhet të paktën katër video në TikTok që tregojnë aftësitë e tua ritmike për të provuar që je në kontakt me rininë dhe pleqërinë. Qoftë një sfidë kërcimi apo një dublim i një fjalimi të famshëm politik, populli duhet të shohë përkushtimin tënd për artin.
6- Tre adresa rezervë
Çdo deputet duhet të ketë të paktën tre streha emergjente në rast se ndodh diçka. Këto adresa përdoren për të nisur lavdërimin e postimeve të tua ose përgjigje rrufe ndaj ndonjë rrufjani që kritikon
7- Debat me komentuesit
Harro debatet formale, debatet mediatike apo platformat politike reale. Vlera jote si deputet nuk do të gjykohet sa shpesh shfaqesh në panele të debateve televizive por sa mençurisht i përgjigjesh komentuesve në rrjete sociale.
8- Pastro LinkedIn
Mos harro, imazhi yt publik është i pastër si bora e sapo rënë, kështu që çdo histori e çdo forme punësimi apo skandali duhet të fshihet plotësisht. LinkedIn është për “lidhje”, jo për ndershmëri. Titujt e punës duhet të përfshijnë “Visionar,” “Guru i Politikave,” dhe “Lider i Mendimit Strategjike,” “Influencues”
9- Photoshop-i dhe filtrat, miqtë e tu më të mirë
Është 2024, dhe askush nuk pret autenticitet. Photoshop çdo defekt, çdo sfond, dhe, kur është e nevojshme, edhe gjithë tubimet politike. Nuk erdhën njerëz në takim? S’ka problem—shto disa fytyra të buzëqeshura shtesë, ose shkruaj se këtë radhë takove strukturat. Përdor pa dogane filtrat. Pak rëndësi ka nëse dukesh 10 apo 25 vjet më i ri.
10- Kurrë mos kërko falje
Rregulli i artë: mos kërko kurrë falje për asgjë. Nëse kapesh në një skandal, referoju urdhëresës 6 dhe zhduku për disa javë. Kur të kthehesh, posto një citim të vagullt në X dhe një foto të perëndimit të diellit në Instagram. Prit që algoritmi të të falë.
Mos harro të bëhesh deputet nuk ka të bëjë me lidershipin, por me performancën ne rrjete sociale.
Ndiq këto dhjetë hapa, dhe një ditë edhe ti do ta injorosh popullin dhe postimet e shoqëruar me hashtag dhe filtra do të dërgojnë në Parlament.