Nga Lutfi Dervishi
1- Ballkoni
Ka gjithnjë një aspekt mitik rreth ballkonit. Mund të dalësh të marrësh ajër të pastër, të durosh këto kohë cicërimat e shtuara të zogjve dhe të soditësh pejsazhin që ke përballë (zakonisht është pallat tjetër ose kantier punë për një pallat/kullë që po lartësohet). Aty mund të pish cigare, kafe, mund të lexosh libër dhe t’i përgjigjesh telefonatave. Ana negative është se nuk mund të bësh video në Whatsapp apo skype për shkak të ndriçimit natyror.
2- Dritarja!
Vendi më i sigurtë për t’u vizituar edhe në ditët e ftohta dhe në ditë me shi mbetet dritarja.
Vend ideal për të sjellë në mend momentet e bukura të fëmijërisë… me avullin e gojës mund të ushtrosh pikturën ose t’i bësh gjimnastikë mendjes me pyetje të tipit: cila është gërma e parë e alfabeti?. Gjatë ditës avantazhi është se ti shikon gjithçka jashtë dhe askush nga jashtë nuk të shikon ty. Qetësia që mund të prishet nga britmat e komshiut që komunikon me gruan duke respektuar distancën sociale, mund të rikthehet nëse përdor një palë kufje të mira. Mund të dëgjosh muzikë, madje është e lejuar edhe të fillosh të mendosh.
3- Kuzhina
Guzhina mbetet vend tërheqës për të gjithë moshat- aroma e gjellëve, e kafesë turke dhe e qumështit të djegur janë unike për çdo shtëpi. E vendosur vetëm disa metra larg ballkonit guzhina mbetet vendi ideal për të mësuar sa persona jeni në shtëpi. E kombinuar me leksione gatimi që jep televizori, guzhina mund të bëhet një nga vendet më të preferuara për të kaluar mëngjesin, drekën dhe darkën, pa qenë nevoja të respektohet kjo renditje.
4- Korridori….
Për familjarët me fëmijë, por edhe për çiftet e reja dhe të moshuarit, korridori rekomandohet të vizitohet për lojëra, vrapime të lehta, por mbi të gjitha edhe si vend për të provuar karakterin e burrave. Aty diku ndodhet dera e jashtme dhe tundimi për të dalë jashtë dhe për të thyer rregullat e izolimit është më i fortë se tundimi që provoi Odeseu kur kaloi mes Shillës dhe Karibdës.
5- Dhoma e ndenjes, televizori
Është një nga vendet magnetike dhe që popullohet më shumë se çdo vend tjetër i rekomanduar deri më tani. Televizori me emisionet maratonë dhe lajmet e larmishme rreth koronavirusit e bëjnë dhomën e ndenjes një destinacion të preferuar sidomos për burrat. Të apasionuarat pas kafes dhe telenovelave turke e konsiderojnë divanin përballë tv si vend të shenjtë dhe pultin si mallin më të kërkuar- përveç maskave.
6- Tualeti
Vendi më i vizituar mbetet tualeti. Jo për shkak të ndonjë epidemie diarreje, por për faktin se vizitorët duhet të shkojnë sa më shpesh të munden për t’u takuar me sapunin. Riti i larjes së duarve me sapun, ideja që me duart e tua mund të rrezikosh jetën tënde dhe të atyre që ke pranë dhe shpëtimi të vjen vetëm nga sapuni e bën vizitorin të duruar, të frymëzuar, dhe të lehtësuar sidomos në orët e mesnatës kur vendos që është hera e fundit që do të lash duart. Këtu është edhe kontakti më i shpeshtë me pasqyrën. Pyetja: kush është ky/kjo që ndodhet përballë është e natyrshme. Është krejt normale të të marrë malli për berberin/parukieren.
7- Oborri i shtëpisë/pallatit
Për shkak të orareve të kufizuara të lëvizjes, oborri i shtëpisë dhe pallatit nuk ofron fleksibilitetin që kanë vendet e përshkruara më lart. Por pasi ke vendosur doreza në duar, maska në fytyrë dhe të sigurohesh që kokën e ke mbi supe, ja vlen të vizitosh oborrin edhe me rrezikun që do të ndeshesh me pyetjet e përditshme: kur do të ikë kjo flamë? Si u bë kështu? Ai tha ashtu! Ajo ja bëri namin! E dëgjove sa i kishin rritur çmimet! Ku ka të marrësh lekë pa punuar?! etj. Nuk ka receta të gatshme se si mund t’i shmangësh këto pyetje të pashmangshme. Secili del në oborr duke marrë vetë rrezikun.
8- Marketi lagjes
Për nostalgjikët e radhëve dhe thashethemeve dyqani lagjes rekomandohet të vizitohet të paktën 5 herë në javë. Aty do të ndeshesh me vështrimin e dashur të shitësit/shitëses që nuk do të harrojë të thotë çdo ditë se këta të shumicës kanë ngritur çmimet, se ka mbetur pa gjumë ngaqë furnizimin e ka bërë herët dhe sigurisht që ka marrë frutat dhe perimet më të freskëta që gjenden në Shqipëri. Qëndrimi në radhë është dhe instrument që qeveria ka gjetur për të trajtuar problemet e shëndetit mendor. është e sigurtë që do të gjesh gjithmonë njerëz që futen si “pa mendje” pa radhë, ose gra që nisin sherrin dhe pastaj futen pa radhë. Aty do të takosh edhe lypës mirëkuptues që të kujtojnë se edhe ata kanë stomak për t’u ushqyer.
9- Tavolina e punës!
E vendosur në dhomën e ndjenjes apo në dhomën e gjumit, tavolina e punës është një vend që rekomandohet fuqishëm për 2020. Pas një lodhje dhe rraskapitje në 8 vendet e përshkruara më sipër, tavolina e punës është vendi ideal për t’u shlodhur. Për nostalgjikët e punës rekomandohet që të nisin leximin e ndonjë libri, dhe pa e tepruar mund të shkruajnë diçka në formë ditari. Përvoja shekullore e mëparshme nuk sugjeron: shkrimin e poezive, eseve se si të dilet nga gjendja dhe sidomos ideve se si mund të shpëtoi bota nga koronavirusi.
10- Dhoma e gjumit
Ndryshe nga vitet e tjera, ky destinacion ka pësuar ndryshime rrënjësore. Nuk rekomandohet më që para gjumit të vendosësh zilen e zgjimit. është koha që mund të flesh në të njëjtën orë si me kushërinjtë që ke në SHBA ashtu edhe në ekstremin tjetër në Kinë. Ky vend në kohën kur kufiri nuk është qielli, por tavani fajësohet për ëndrra rraskapitëse. Rreziku që mund të shihni ëndrra që ju sjellin dhimbje koke në mëngjes është shumë i lartë. Ëndrrat duke pirë kafe në bare, duke shëtitur në park, apo duke bërë plazh janë shenja që duhet të zgjoheni sa më shpejt!