Kelmend Balili është shpallur fajtor nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe është dënuar me 15 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar ai do të kryejë vetëm 10 vite.
Vendimi u mor sot, pasi seanca ishte shtyrë tri herë më parë.
Prokuroria kishte kërkuar 18 vite burg për të ashtuquajturin “Escobar” të Ballkanit, që automatikisht bëheshin 12 vite për shkak se ndaj tij u pranua gjykimi i shkurtuar.
Seanca për vendimin përfundimtar është shtyrë disa herë për shkak se mungonte kryesisht avokati i tij, Theodhori Sollaku, ndërsa në një rast as vetë i pandehuri, duke pretenduar se kishte probleme shëndetësore dhe kërkonte shtyrjen e seancës.
Balili u shpall fajtor për të 4 akuzat që rëndonin mbi ti, si “Trafikim i lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”; “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”; “Refuzim për deklarim dhe mosdeklarim, fshehje ose deklarim të rremë të pasurisë”; “Pastrim të produkteve të veprimtarisë kriminale”.
Përgjatë gjithë seancave Balili nuk i pranoi asnjëherë akuzat.
Në dosjen e prokurorisë thuhej se nga informacioni i policisë, rezultonte se nga fundi i muajit maj 2015, shërbimet ligjzbatuese greke dhe DEA në Athinë kanë qenë duke hetuar në lidhje me një organizatë kriminale për trafikimin e lëndëve narkotike e përbërë nga shtetas grekë, shqiptarë dhe nga vendet e Evropës Qendrore.
Ai u bë një prej personazheve më të lakuar të botës së krimit, pasi emri i tij përmendej vazhdimisht edhe nga ish-ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, ndërsa vetë Balili ishte në arrati.
Ai mundi t’i shpëtonte për dy vite kapjes, por u vetëdorëzua më 17 janar 2019.
Gjatë kësaj periudhe policia dështoi të paktën 14 herë për kapjen e tij.