Malajzia është e angazhuar për të rinovuar kërkimin për fluturimin MH370 të Malaysian Airlines, tha ministri malajzian i Transportit Anthony Locke, ndërsa afrohet 10 vjetori i zhdukjes së tij në një nga misteret më të mëdha të aviacionit në botë.
Locke tha se firma amerikane e eksplorimit të shtratit të detit Ocean Infinity ishte ftuar në bisedime mbi propozimin e fundit të kërkimit pas dy përpjekjeve të mëparshme të dështuara, raportoi Reuters.
“Qeveria e Malajzisë është e përkushtuar në kërkimin e (MH370) dhe duhet të vazhdojë”, tha Locke në një ngjarje për të përkujtuar zhdukjen e avionit.
Kërkimi nënujor, 130.46 milionë dollarë
Boeing 777 me 227 pasagjerë dhe 12 anëtarë të ekuipazhit në fluturimin MH370 u zhduk gjatë rrugës nga Kuala Lumpur në Pekin më 8 mars 2014.
Hetuesit malajzianë fillimisht nuk përjashtuan mundësinë që avioni të ishte devijuar qëllimisht dhe mbeturinat, disa të konfirmuara dhe disa që besohet se ishin nga avioni, janë shfaqur përgjatë brigjeve të Afrikës dhe në ishujt në Oqeanin Indian.
Malajzia punësoi Ocean Infinity në vitin 2018 për të kërkuar në jug të Oqeanit Indian, duke ofruar të paguajë deri në 70 milionë dollarë nëse avioni gjendej. Malajzia, Kina dhe Australia përfunduan më parë kërkimin e pasuksesshëm dyvjeçar nënujor që kushtoi 130.46 milionë dollarë në janar 2017.
Më shumë se 150 pasagjerë kinezë ishin në bord dhe familjet e tyre kanë kërkuar kompensim nga Malaysian Airlines, Boeing, prodhuesi i motorëve të avionëve Rolls-Royce dhe grupi i sigurimeve Allianz, ndër të tjera.
Një gjykatë në Pekin filloi seancat për kompensimin në nëntor të vitit të kaluar.