Kulturë 109-vjetori i lindjes së Migjenit/ Meta: Vargjet e tij vijnë sot më...

109-vjetori i lindjes së Migjenit/ Meta: Vargjet e tij vijnë sot më aktuale se kurrë

Presidenti Ilir Meta ka përkujtuar sot 109-vjetorin e lindjes së poetit tonë kombëtar Migjenit.

“Vargjet e poetit tonë kombëtar, Migjeni, janë një urgan i përhershëm frymëzimi dhe kushtrimi, që burojnë nga dhimbjet dhe vuajtjet e njerëzve të thjeshtë, të cilët nuk e durojnë dot shtypjen dhe padrejtësinë”, shprehet Meta.

“Ato simbolizojnë grushtin e fuqishëm të revoltës mbarëpopullore në çdo kohë, kundër së keqes, mjerimit, padrejtësisë, shfrytëzimit, dhunës, korrupsionit, arrogancës dhe mashtrimit politik.

Sot, në 109-vjetorin e lindjes së Migjenit, vargjet e tij vijnë më aktuale se kurrë. Të ardhmes europiane të vendit, i është vendosur para një “Mal që s’bëzanë” sterrë i zi, i ngritur mbi shkatërrimin e shtetit dhe dinjitetit njerëzor, mbi korrupsionin e llahtarshëm dhe përdhosjen e çdo vlere kombëtare”, theksoi Meta.

Por, ka shtuar Meta, “veç shprehjes së dhimbjes e revoltës, Migjeni ynë i madh ka  konstruktuar në vargjet e tij edhe shpresën për një të ardhme të denjë kombëtare dhe njerëzore që është gati dhe po vjen shumë shpejt”.

Meta ka cituar vargjet e Migjenit, duke thënës se, “aq bukur ajo shprehet në vargjet”:

“Rini, thueja kangës ma të bukur që di!

Thueja kangës sate që të vlon në gji.

Thueja kangës, Rini! Thueja kangës gëzimplote!

Qeshu, rini! Qeshu! Bota asht e jote”.