Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit, Helidon Bendo ka uruar 109-vjetorin e krijimit të institucionit që ai drejton, ndërsa thekson se pavarësisht nga gjendja e vështirë e krijuar nga pandemia “COVID-19”, Shërbimi Sekret u bë më i vendosur për realizimin e detyrave të ngarkuara, duke qenë më krijues për t’u përshtatur me realitetin e ri.
Mesazhi i Drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit, Helidon Bendo
“Të nderuar punonjës të Shërbimit Informativ të Shtetit, sot është një ditë e shënuar në kalendarin e Shërbimit Informativ të Shtetit. Pikërisht më 17 dhjetor, mbushen 109 vjet nga themelimi i strukturës së parë të shërbimit sekret të shtetit shqiptar.
Me këtë rast, kujtojmë me mirënjohje nismën e Qeverisë së parë të Shqipërisë së pavarur, për krijimin e “një shërbimi të msheftë për viset të shkeluna të Shqipnis”.
Të njëjtin mision, për ruajtjen e pavarësisë dhe sovranitetit, SHISH mban edhe në ditët e sotme, në funksion të sigurisë kombëtare, rajonale dhe të aleatëve strategjikë.
Me një vizion të qartë, Shërbimi ynë është shndërruar, modernizuar dhe përshtatur me sfidat e kohës. Por kjo nuk ka ndodhur pa përkushtimin dhe sakrificat e pjesëtarëve të këtij Shërbimi, në përmbushje të misionit tonë, gjithmonë në respekt të Kushtetutës, ligjit dhe të drejtave të njeriut.
Edhe këtë vit, punën tonë e shoqëroi gjendja e vështirë e krijuar nga pandemia “COVID-19”, e cila, pavarësisht pengesave, na bëri më të vendosur për realizimin e detyrave të ngarkuara, duke qenë më krijues për t’u përshtatur me realitetin e ri.
Është rasti i duhur për mua sot, t’ju falënderoj ju, të gjithë punonjësit dhe kolegët, si kyçi i suksesit tonë dhe aseti më i çmuar, për përkushtimin në punë, për sakrificat që bëni për të përmbushur detyrat, duke i qëndruar besnikë Shërbimit tonë dhe Kushtetutës.
Duke e mbyllur këtë mesazh, jam i bindur se, do të qëndrojmë në lartësinë e detyrës, me nivelin më të lartë profesional, në funksion të mbrojtjes së sigurisë kombëtare.
Gëzuar ditën e themelimit të Shërbimit Informativ të Shtetit!”