Opozita do të dalë nesër në sheshin para Kryeministrisë në orën 18:30 për të kërkuar rrëzimin e Edi Ramës për të disatën herë radhazi.
Me Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin që do të kenë në dorë “frerët” e turmës mund të ketë lëvizje të paparashikuara, që janë paralajmëruar nga dy liderët e opozitës.
Basha ka theksuar në turin e tij të takimeve se më 11 Maj do të përmbyset sistemi, ndërsa kryetarja e LSI tha mbrëmë në një studio televizive se nesër do të kuptojmë se “97 s’ishte asgjë”.
Para këtyre thirrjeve të dy krerëve të opozitës shqiptare ka reaguar edhe Ambasada e SHBA në vendin tonë.
Në një postim në Facebook, Ambasada bën thirrje për një proteste të qetë, duke dënuar dhunën.
“E drejta për t’u përfshirë në protesta paqësore është një e drejtë themelore demokratike. Përgjatë muajve të fundit, pjesa më e madhe e pjesëmarrësve kanë ushtruar të drejtën e tyre për të protestuar paqësisht.
Megjithatë, në çastin kur një protestë paqësore njolloset nga një akt dhune, qoftë edhe nga një individ, qëllimi demokratik i protestës kompromentohet. Është e paligjshme dhe jo demokratike të kryesh akte dhune, përfshirë edhe shkatërrimin e pronës.
Iu bëjmë thirrje të gjithë personave të përfshirë në protestën e së shtunës që të refuzojnë dhunën për të siguruar një protestë paqësore dhe konstruktive”, thuhet në deklaratë.