SPAK ka zbuluar për herë të parë detaje nga marrja në pyetje për thuajse 11 orë të gazetarit Elton Qyno.
Në njoftimin e bërë në faqen zyrtare të SPAK, bëhet me dije se artikujt që janë publikuar nga gazetari Elton Qyno përmbajnë disa biseda të zhvilluara nga i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani në platformën e kriptuar SkyECC.
Këto komunikime ende nuk janë dokumentuar në akte procedurale nga ana e Prokurorisë së Posaçme në kuadër të procedimit penal nr.75/2022. Pikërisht ky numër dosjeje korrespondon me arrestimin e Albert Pashajt, i cili mendohet se është paguar nga Henrik Hoxhaj (bashkëpunëtor i Dumanit) 80 mijë euro për të vrarë. Objektivi, i identifikuar si Aredin Behari ka arritur që të shpëtojë në të dyja rastet. Në të parin ai kishte pikasur personin që do kryente atentatin ndaj tij, ndërsa në të dytin personit që do kryente krimin (vetë Pashaj dhe Skerdi Tase) i ishte bllokuar arma. Në bisedat që ka nxjerrë Qyno, Dumani me kodin (Toto Riina) kërcënon “Agia Sophia”, por nuk dihet ende se kush personazh i botës së krimit fshihej pas kësaj nofke në aplikacionin e kriptuar.
Kështu që me nxjerrën e përgjimeve, SPAK ka nisur hetimet për veprën penale: “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” dhe “Ndalimi i dhënies dhe i shpalljes së të dhënave në kundërshtim me ligjin”.
Gjatë marrjes në pyetje, sipas SPAK, Elton Qyno nuk e ka zbuluar burimin e tij dhe deklaroi me shkrim se aktet e dokumentet që dispononte ishin sekret që lidheshin me profesionin e tij. Gjithashtu, SPAK bën me dije se gazetari u ftua nga hetuesit që t’i këqyrej telefoni/telefonat që kishte në përdorim, por sërish kjo kërkesë iu hodh poshtë nga ana e Qynos, ndaj dhe në “veprim” u fut një vendim gjyqësor i lëshuar nga gjyqtarja Atalanta Zeqiraj.
“U lejua edhe sekuestrimi i të dhënave kompjuterike në sistemin kompjuterik në vendin e punës dhe në banesë të tij. Kontrolli personal solli rezultat negativ, telefon celular nuk iu gjet; nga kontrolli në banesë dhe në ambientet e punës u gjetën dhe u sekuestruan dokumente dhe sende elektronike tek të cilat dyshohet të ketë gjurmë të veprës penale që po hetohet. Ndërkaq, para mesnatës, me anë të pajisjeve speciale gjurmuese operacionale u bë e mundur që në një Bar Kafe me vendndodhje në distancë të afërt me godinën e SPAK, të gjenden dy telefona celularë, që pasi iu vunë në dispozicion, të njihen prej tij si sende të tij. Dy telefonat celularë, pajisjet elektronike dhe dokumentacion në letër u sekuestruan në zbatim të vendimit të gjykatës, për t’iu nënshtruar ekzaminimeve të mëtejshme”, mbyll deklaratën SPAK.