Karabinierët e Torinos kanë ekzekutuar mëngjesin e kësaj të enjteje urdhërarreste ndaj 11 personave (italianë, shqiptarë dhe polakë) të akuzuar si pjesë e një organizate të trafikut ndërkombëtar të drogës dhe shpërndarjeje të lëndëve narkotike.
Sipas asaj që raporton Corriere della Sera, hetimet, të kryera në Itali, Ekuador, Slloveni, Shqipëri, Poloni, Gjermani dhe Zvicër, çuan në 30 kontrolle, sekuestrimin e mbi 80 kilogramëve kokainë dhe më shumë se 7 kilogramë marijuanë në Itali.
Vlera totale e drogës kap shifrën e rreth 4.5 milionë eurove.
8 korrierë janë arrestuar në flagrancë, teksa udhëtonin me makina të modifikuara në Slloveni.
Po ashtu, autoritetet italiane mësohet se kanë mundur të zbardhin rrugët që shërbenin për transportimin e drogës (rruga e Atlantikut për kokainën dhe vendet e Ballkanit për marijuanën), të destinuara për shitje në veri të Italisë, Slloveni, Holandë, Zvicër dhe Gjermani.
Hetimi lidhet me një vrasje të ndodhur më 22 Janar të vitit të shkuar në një restorant në Guayaquil të Ekuadorit, ku u vra shqiptari Ergys Dashi. Sipas mediave italiane, ai dyshohet se ishte kreu i organizatës kriminale.
Hetimet për këtë grup nisën në vitin 2017, pas një sërë arrestimesh në rrugët e Torinos.