Rastet e reja me Covid-19 në Shqipëri kanë arritur një shifër rekord që prej nisjes së pandemisë, prej 901 të infektuarish në ditë. Në 24 orët e fundit janë kryer 3 864 testime, 23% e të cilëve kanë rezultuar pozitivë, shumica e rasteve në kryeqytet.
Pavarësisht një trendi të lartë të të infektuarve në Tiranë, që është qarku me numrin më të madh të popullsisë, raporti i pozitivitetit po rritet edhe në Fier, Durrës, Shkodër dhe Elbasan.
Ministria e Shëndetësisë njofton se dhe rastet fatale janë rritur në fund të këtij muaji, duke shënuar sërish një shifër të lartë me 11 viktima në 24 orë, të moshës 48 deri në 80 vjeç. Katër nga viktimat i përkasin Tiranës ndërsa të tjerët janë nga Bulqiza, Cërriku, Kurbini, Kavaja, Berati, Durrësi dhe Korça.
Numri i të shtruarve në 4 spitalet Covid mbetet konstant, me një ulje të lehtë këtë fundjavë. Autoritetet raportojnë për 287 pacientë, 20 prej të cilëve janë në terapi intensive dhe 4 të intubuar.
507 pacientë janë shëruar, duke çuar numrin e rasteve të negativizuar në 47 mijë, ndërsa afro 29 mijë raste të tjera mbeten aktive në të gjithë vendin.