Në përvjetorin e 110-të të Pavarësisë një mesazh urimi ka mbërritur edhe nga aleati strategjik i Shqipërisë. Përmes një mesazhi Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken krahas urimit për festën e 28 Nëntorit thotë se Shtetet e Bashkuara janë krenare që kremtojnë njëherazi edhe 100 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona, duke vlerësuar partneritetin dhe kontributin e Shqipërisë në skenën botërore.
“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është nderi im të uroj popullin e Shqipërisë në 110-të vjetorin e Pavarësisë. Shtetet e Bashkuara kanë qenë të nderuara të punojnë së bashku me Shqipërinë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, teksa ju vazhdoni të jepni kontribut të rëndësishëm në skenën botërore. Shqipëria ka shfaqur lidership dhe guxim duke mbështetur Ukrainën dhe duke vënë në dukje veprimet e aktorëve keqdashës në Evropë dhe në mbarë botën”.
Rreshtimi në krah të aleancës së Atlantikut të Veriut, si dhe mbështetja e Shqipërisë për emigrantët afganë vlerësohen si një tjetër kontribut i vendit tonë.
“Kontributet e çmuara të Shqipërisë si aleate e NATO-s ndihmojnë në mbajtjen e Aleancës të fortë, të përgatitur dhe të vendosur. Shtetet e Bashkuara falënderojnë gjithashtu Shqipërinë për partneritetin dhe mbështetjen e saj gjatë zhvendosjes së afganëve”.
Duke uruar hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian në muajin Korrik, sekretari Blinken thotë se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara në mbështetje të aspiratës europiane të vendit tonë.
“Ne urojmë Shqipërinë për arritjen e hapjes të negociatave me BE në korrik dhe mbetemi të përkushtuar për t’ju mbështetur përgjatë rrugës suaj transatlantike. Së bashku, po punojmë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, për të siguruar energji ndërsa çojmë përpara agjendën tonë të përbashkët klimatike për Evropën dhe për të forcuar mbrojtjen kibernetike”.
Në mbyllje të mesazhit të tij, zyrtari i lartë i Shteteve të Bashkuara rikonfirmon se teksa hymë në shekullin e një tjetër marrëdhënie mes dy vendeve tona, SHBA-të janë krenarë të qëndrojnë krah për krah me popullin shqiptar.