Me 117 vota pro dhe 3 abstenim, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme që i hap rrugën arrestimit dhe kontrollit të banesës së ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj.
Gjatë seancës së posaçme ku u lexuan dhe raportet e Komisionit të Mandateve, kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi ftoi SPAK që t’i shkonte deri në fund hetimit për çështjen e inceneratorëve, teksa ftoi Ahmetajn të bashkëpunojë me drejtësinë.
“Ish-zëvendëskryeministri i vendit, krahu i djathtë i Edi Ramës, njeriu i tij më i besuar, rrezikon jo më pak se 15 vite burg, jo vetëm për korrupsion, jo vetëm për shpërdorim detyre, por dhe për pastrim parash përmes transaksioneve kriminale me dy bosët e inceneratorëve. Pjesë e këtij hetimi do të duhet të jetë edhe koka e kësaj afere, i cili është Edi Rama. Pa ndihmën e kryeministrit askush nuk mund të miratonte 17 vendime brenda ditës. E ftoj Ahmetajn të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë”, tha Bardhi.
Ndërkohë nga ana e mazhorancës, foli deputeti Arben Pëllumbi, i cili i kërkoi opozitës të ndalë akuzat dhe të lejojë drejtësinë të bëjë punën e saj, teksa shtoi se emri i kryeministrit, ndryshe nga sa pretendon opozita, nuk rezulton në asnjë fjalë të kërkesës së SPAK.
“Edhe sot që duhet të ndiqnim procedurë, Bardhi mbajti një qëndrim politik, larg raportit që lexoi. Ne nuk jemi gjykatë dhe prokurorë, nuk mund të japim mendime personale. Kemi një raport të SPAK që duhet të ndeshet në Gjykatë me kolegun tonë dhe është ajo që jep vendimin. Deri në atë kohë të gjithë duhet të njohim prezumimin e pafajësisë. Bardhi përmendi shumë emra, shumë kolegë dhe përmendi kryeministrin, emri i të cilit nuk rezulton askund në raportin e SPAK”, tha Pëllumbi.
Më herët gjatë ditës së sotme, ish-zëvendëskryeministri, Arben Ahmetaj reagoi me anë të një postimi të gjatë në rrjetet sociale ku dha një mesazh për qytetarët, votuesit që i besuan, deputetët e mazhorancës e të opozitës, por edhe për reformën në drejtësi.