Rusia do të krijojë 12 baza të reja ushtarake në perëndim të vendit, si përgjigje të kërkesës së Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në NATO.
Ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu bëri njoftimin të premten, duke thënë se bazat e reja do të jenë në vend deri në fund të vitit.
Ai tha se “12 baza dhe njësi ushtarake do të vendosen në Distriktin Ushtarak Perëndimor, pasi ka një rritje të kërcënimeve ushtarake në kufijtë e Rusisë”, duke fajësuar NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara.
Agjencia ruse e lajmeve Interfax raporton se Moska po merr “kundërmasa adekuate” në përgjigje të atyre “kërcënimeve ushtarake” të perceptuara në perëndim.
Këtë javë Finlanda dhe Suedia aplikuan zyrtarisht për anëtarësim në NATO, një veprim që ishte i paimagjinueshëm përpara pushtimit të Ukrainës nga Rusia më 24 shkurt.
Finlanda ndan një kufi tokësor prej 1300 km me Rusinë, ndërsa ishulli suedez Gotland është strategjikisht i rëndësishëm në Detin Baltik dhe vetëm 300 km nga enklava e militarizuar ruse e Kaliningradit.