Përfundon tragjikisht ai që duhej të kishte qenë një ekskursion argëtues në Stamboll. Të paktën 45 persona, përfshirë 12 fëmijë, kryesisht shqiptarë të Maqedonisë së Veriut që po ktheheshin në Shkup, humbën jetën pasi një autobus u përfshi nga flakët në perëndim të Bullgarisë.
7 persona, të cilët arritën të dilnin nga dritaret, janë shtruar në spitalin e Sofies, në gjendje të qëndrueshme.
Ngjarja ndodhi në një autostradë pranë fshatit të Bosnek, në orën 2 të mëngjesit. Autobusi me rreth 52 persona në bord, i përkiste agjencisë turistike Besa Trans, e cila organizonte udhëtime në Stamboll.
“Pamjet janë rrëqethëse. Detajet e tragjedisë duhet të hetohen. Është e vështirë të shohësh atje, shumë e vështirë. Nuk e di nëse duhet të tregojmë detajet në këtë moment. Nuk kisha parë asnjëherë diçka të ngjashme. Njerëzit janë kthyer në hi”, tha ministri i Brendshëm i Bullgarisë, Boyko Rashkov.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i cili bashkë me ministrin e Jashtëm, Bujar Osmanin, gjenden në Bullgari, e cilësoi këtë një tragjedi të tmerrshme dhe tha se 12 persona janë nën moshën 18-vjeçare, ndërsa të tjerët të rinj, rreth 20-30 vjeç.
“Jam në kontakt me kryeministrin Stefan Janev, i cili tashmë ka vizituar njerëzit. Pata mundësinë të bisedoja me një nga të mbijetuarit. Ai shpjegoi se ata ishin duke fjetur në autobus kur u dëgjua një shpërthim i fortë. Ata kanë mundur të thyejnë njërin nga xhamat dhe të shpëtojnë disa persona. Fatkeqësisht, të tjerët nuk ia arritën. Është një tragjedi e tmerrshme. Shumica prej tyre – 12 – janë fëmijë nën 18 vjeç, dhe të tjerët janë të rinj rreth 20-30 vjeç. Shumica prej tyre janë shtetas tanë, por ka edhe nga Serbia”, tha Zaev.
Sipas Zaev, mes pasagjerëve ishte edhe një shtetas serb, e një belg. Më herët, shefi i policisë bullgare, Stanimir Stanev, bëri të ditur se 2 shoferët ishin të kombësisë maqedonase, ndërsa 50 pasagjerët, kryesisht shqiptarë.
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani u shpreh se shumica e viktimave janë nga Shkupi, të cilët po ktheheshin nga Turqia ku kishin shkuar për një vizitë treditëshe në Stamboll.
“Sipas të dhënave të para që kam, bëhet fjalë për një agjenci turistike nga Shkupi, dhe shumica e viktimave janë nga Shkupi. Në mesin e tyre ka më shumë se dhjetë fëmijë, por kishte edhe shumë të rinj tjerë që po kishin shfrytëzuar pushimin e zgjatur, pasi të hënën ishte ditë feste”, tha Osmani.
Mediat bullgare thonë se po merret në konsideratë mundësia e plasjes së një prej gomave dhe përplasjes së autobusit me një barrierë ndarëse, para shpërthimit të zjarrit; megjithatë ka dëshmitarë që thonë se kanë parë autobusin në ecje në flakë, çka sugjeron se aksidenti mund të ketë ndodhur më vonë. Një dëshmitar që citohet edhe nga kryeministri Zaev, rrëfen se kishte dëgjuar një shpërthim të fortë.