Janë 20 vitet e fundit të 800′-ës (“Ottocento”, shkruar në librat e historisë dhe letërsisë italiane) dhe “Gilded Age”, ose në frëngjisht “Belle Epoque”, pra Epoka e Bukur, është në agimin e saj duke prekur rrethet e ndryshme shoqërore… Një periudhë që do të vazhdojë deri kur Lufta e Parë Botërore të shkatërrojë gjithçka duke hapur një konflikt që më pas do të ndiqej nga një tjetër.
James A. Naismith, lindur në Almonte në 1861, pasi është diplomuar me nota maksimale dhe ka përfunduar edhe studimet në Bachelor për Filozofi, është emëruar profesor dhe edukator i të rinjve në Springfield College të Massachusetts.
Docent i edukimit fizik, i diplomuar edhe për mjekësi, do t’i jepej një detyrë e posaçme. Doktori Luther Halsey Gulick, përgjegjës i edukimit fizik, i kërkoi Naismith që të zbulonte diçka për të argëtuar studentët gjatë leksioneve dimërore të gjimnastikës në ambjente të mbyllura, pasi dimri i ashpër nuk lejonte shpesh zbavitjen në fushat përreth universitetit.
“Sa më pak kontakte në këtë sport dhe sa më pak shpenzime për ekonomikë e shkollës, pasi nuk kemi buxhet”, iu drejtua Gulick.
I frymëzuar nga një lojë që bënte kur ishte fëmijë “Duck-on-a-rock”, me hedhjen e gurit në formë parabole, por pasi kishte parë edhe hapat e parë të futbollit (që luhej me këmbë) apo lojërave të ndryshme azteke si Tlachtli dhe ato të fisit Maya (Pok-Ta-Pok), doli në përfundimin se duhej shpikur një sport ku fusha të ishte më e vogël se sa madhësia e lojtarëve në tërësi…
Do të ulej dhe shkruante 13 rregulla themeltare të kësaj loje dhe eksperimenti i parë u organizua në 21 dhjetor 1891 me First Team (skuadra e parë) në palestrën e Kolegjit në Armory Street, Springfield. Topi i rrumbullakët, më i madh se ai i futbollit dhe dy kosha ku duhet të hidhej topi për të bërë pikë!
Ndeshja përfundoi vetëm 1-0, por u pëlqye jashtë mase! Do të lindte Basketbolli, një sport shumë më pak popullor se futbolli, por gjithsesi tepër i ndjekur nga masat! Edhe kokoret e futbollit amerikan në kokë do të frymëzoheshin nga Naismith, për të mbrojtur pikërisht pjesën më delikate të trupit…
“Mendova se basketbolli do të ishte një lojë më e vështirë se futbolli! Të shënosh gol duke goditur me kokë është më e lehtë se sa ta bësh duke hedhur topin me dorë në një kosh me perimetër të vogël”…