Aktualitet 14 organizatat më të frikshme kriminale (dhe një analizë për mafian shqiptare)

14 organizatat më të frikshme kriminale (dhe një analizë për mafian shqiptare)

Mafia është një term shumë i përhapur në botë për të përkufizuar organizata kriminale. Mafia ka një traditë dhe histori të gjatë.

Disa studiues theksojnë se fjala mafia vjen nga fjala arabe “mahias” që do të thotë guxim ose njeri i guximshëm. Po ashtu disa autorë të tjerë mendojnë se fjala mafia vjen nga fjala tjetër arabe “muafas” që do të thotë të kujdesesh, ti vësh nën mbrojtje anëtarët e familjes, të klanit, ti disiplinosh, ti kesh nën kontroll, etj. Në fjalorin siçiliano-italian të vitit 1868, fjala mafia shpjegohet si neologjizëm i cili do të thotë manifestim i trimërisë dhe guximit, ndërsa në fjalorin e botuar në vitin 1876 kjo paraqitet si sinonim për fjalën bandë-organizatë apo grup i fshehtë i organizuar për qëllime të caktuara.

 Nga Mafia në Cosa Nostra

Sipas disa mafiozëve, emri i vërtetë i mafias është “Cosa Nostra” (Çështja Jonë). Disa kanë thënë, siç tha i penduari i mafias, Tommaso Buscetta, që emri “mafia” nuk është gjë tjetër veçse një krijim letrar.

Për “burrat e nderit” që i përkisnin organizatës, nuk kishte nevojë ta emërtonin. Mafiozët prezantoheshin me njëri-tjetrin si pjesëtarë të Cosa Nostra ose “La stessa cosa” (E njëjta çështje), që do të thotë mafioz si ti. Vetëm bota e jashtme ka nevojë për një emërtim të saj, një formë të sofistikuar të “Cosa Nostra”.

Cosa Nostra është përdorur për herë të parë në vitin 1960, në Shtetet e Bashkuara nga Joseph Valachi, një mafioz i kthyer në dëshmitar shteti gjatë shqyrtimit të Komisionit Mc Clellan. Në atë kohë, u kuptua që ishte një emër i posaçëm i vendosur nga policia dhe i përhapur nga media. Në atë kohë, përcaktimi i emrit mori famë të gjerë dhe pothuajse e zëvendësoi termin mafia.

FBI-ja madje shkroi një artikull të posaçëm për këtë çështje, duke e quajtur “La cosa nostra”.

Në Itali, në fakt, termi “la” nuk përdoret kurrë për t’ju referuar mafias. Mafia ka përdorur shumë emërtime të tjera për të përshkruar veten gjatë historisë së saj si për shembull, The Honoured Society (Shoqëria e Nderuar). Mafiozët njihen tek njëri-tjetri si “Burrat e Nderit”.

Por, cilat janë grupet më të mëdha kriminale në botë dhe nga i kanë të ardhurat? Të ardhurat e grupeve të organizuara kriminale janë të vështira të përllogariten pasi ato vazhdimisht shpenzojnë shuma të mëdha për të fshehur pasurinë.

Trafikimet e mafies fillojnë që nga armët te droga, nga grabitjet deri te trafikimi i qenieve njerëzore. Asgjë nuk është tabu për mafien në mbarë botën dhe shoqatat e organizuara të krimit. Ato tashmë janë të njohura për mizoritë e tyre në menaxhimin e operacioneve fitimprurëse.
Ja cilat janë 14 grupet më të rrezikshme mafioze në botë.

1- “COSA NOSTRA” amerikane

U themelua në fillim të shekullit të kaluar dhe u pasurua në dy dekadat e parë. Ajo lindi për dy arsye: Emigrimi në SHBA i një numri të madh italianësh midis të cilëve kishte dhe nga ata që ishin marrë me krime, dhe për shkak se shumë mafiozë nga Sicilia për t’i shpëtuar ligjit në Itali u detyruan të shkonin në SHBA. Janë 5 familje në Amerikë që mbanin kontakte të ngushta me krerët në Itali: Familja Bonano, Lukese, Kolombo, Xhenovese dhe Gambino, ku dy të fundit marrin pjesën me të madhe të fitimeve. Ndikimi i saj ishte i padiskutueshëm. Çdonjëra nga 5 familjet e Nju Jorkut ndërtoi perandorinë e vet duke u marrë me aktivitete të jashtëligjshme si shantazh, pastrim parash, vrasje, lëndë narkotike, kumar, grabitje, menaxhimin e mbeturinave etj.

2- “COSA NOSTRA” italiane

Është themeluar në fillim të shekullit XVI në Siçili, megjithatë lindja e kësaj organizate i atribuohet viteve të Luftës së Dytë Botërore, kur amerikanët ndihmuan ringritjen e mafias në Siçili.

Organizimi

Celula e parë është e përbërë nga “familja”, një strukturë me bazë territoriale që kontrollon një zonë të qytetit apo një qendër të tërë të banuar, nga ku merr dhe emrin. Familja është e përbërë nga “burra nderi” ose “ushtarë” të koordinuar dhe udhëhiqet nga një shef i zgjedhur i quajtur edhe “përfaqësuesi”, i cili pasohet nga një “zv/shef” dhe nga një ose më shumë “këshilltarë”. Nëse ngjarje të rastit bëjnë të pamundur zgjedhjen normale të shefit nga anëtaret e familjes, “komisioni” organizon emërimin e “anëtarëve të këshillit” që të administrojnë përkohësisht familjen deri në kohën e zgjedhjeve në normale.

Aktiviteti i familjeve koordinohet nga një organizëm kolegjial i quajtur “komisioni” ose “kupola”, ku bëjnë pjesë përfaqësuesit e tre a më shumë familjeve të afërta. Komisioni drejtohet nga njëri prej përfaqësuesve të familjeve.

Komisioni ka një rreze veprimi të gjerë, si dhe ka detyrën për të siguruar respektimin e rregullave të “Cosa Nostra”-s brenda secilës familjeje, e mbi të gjitha, të zgjidhë konfliktet ndërmjet familjeve.

Shefat historikë të “Cosa Nostra”-s siçiliane kanë qenë Vito Kashio Ferro, Kaloxhero Vicini, Mikele Navarra, Luciano Lixhio, Mikele Greko, Gaetano Badalamenti, Stefano Bontade, Salvatore Riina, Bendeto Santapaola, Bernardo Provenzano.

3- “Ndrangheta”

Kjo organizatë e ka selinë në Kalabri. Përbëhet nga 144 organizime me 5600 anëtarë. Ajo e realizon kontrollin e saj në territorin kalabrez falë lidhjeve mafioze të quajtura “Ndrine”. Ka një strukturë të dukshme horizontale, ekzistojnë lidhje të ngushta midis grupeve të ndryshme, por nuk ka një qendër drejtuese rajonale apo provinciale.

Organizata mafioze Ndrageta (Ndrangheta) ka eklipsuar prej kohësh fqinjen e saj mjaft të famshme Cosa Nostra-n siciliane.

Në këtë mënyrë sindikata e krimit italian është kthyer një nga organizatat më të madhe mafioze në botë. Fitimet e saj nga importimi i kokainës dhe i bizneseve të tjera vlerësohet dhjetëra miliardë dollarë në vit.

Në dallim nga Cosa Nostra, është më pak e ekspozuar në raport me politikanët dhe shërbimet sekrete.

4- “Camorra”

Ndërsa mafia italo-amerikane është dobësuar dekadat e fundit nga forcimi i ligjit, mafia italiane në vendin e origjinës vazhdon të mbetet e fortë. Pavarësisht përpjekjeve prej disa vitesh të qytetarëve, gazetarëve dhe zyrtarëve të qeverisë, qeveritë lokale në Itali mbeten të lidhura me grupet mafioze. Sipas një studimi të Universitetit Katolika përllogaritet se aktiviteti mafioz gjeneron 33 miliardë dollarë të ardhura, shumica ndahet mes katër grupeve më të mëdha mafioze në Itali. Camorra është më e suksesshmja, me rreth 4.9 miliardë dollarë të ardhura në vit nga shfrytëzimi seksual, trafikimi i armëve të zjarrit, droga, falsifikimet, lojërat e fatit dhe zhvatja. Me bazë në Napoli, grupi ka nisur aktivitetin që në shekullin e 19-të, kur u formua fillimisht nga një bandë në burg.

Kjo organizatë është themeluar nga mesi shekullit XVI në Napoli. Fjala “Camorra” dikur kishte kuptimin e një takse që paguhej nga pronarët e lokaleve për të siguruar mbrojte. Këto të dhëna i përkasin Mbretërisë së Napolit dhe datojnë më 1735. “La Camorra” aktualisht vepron në 111 vende (përfshirë këtu qytete dhe provinca). Struktura e saj është e ngjashme me atë të “Cosa Nostra”-s, ku çdo familje zotëron një zonë të caktuar.

 5- “Yakutsa” (Jakuza)

Çdo bandë mafioze në Japoni quhet “Yakutsa”, por drejtohet nga krerë të ndryshëm. Në traditën e saj spikasin rituale shumë të vjetra si shumë kohë para viteve ’90. Riti i Sakazukishiki-t, është ceremonia e pranimit të çdo anëtari të ri, i cili betohet për besnikëri dhe devotshmëri duke pirë sakë nga gota e kryetarit. Riti i Irezumi-t ose tatuazhi, i cili duke qenë se është i ndryshëm për çdo bandë, dëshmon përkatësinë e anëtarëve të bandave.

Me më shumë së 10 mijë të anëtarësuar, ata merrem me trafik droge, armësh, lojra kumari, grabitje e prostitucion

Ajo që të bën më shumë përshtypje për Jakuzan, mafian japoneze, është se kapot dhe shumë anëtarë të saj qarkullojnë të lirë. Ky grup kriminal, nga më të frikshmit dhe më të pasurit në botë, është unik: investon si në aktivitetet e jashtëligjshme ashtu dhe në ato të ligjshme.

Origjina e Jakuzas është pak e qartë. Sipas gojëdhënave është formuar nga grupi i Ronin, samurajit pa padron, që i ofronin mbrojtje fshatrave nga banditët.

6- Mafia ruse

Grupet mafioze ruse ndryshe nga Yakuza ka një strukturë tjerë sipas Frederico Vares, profesor kriminalistike në Universitetin e Oksfordit dhe ekspert për grupet ndërkombëtare kriminale.

Koncepti “Mafia Ruse” përshkruan një sërë bandash kriminale, ose vëllazëri kriminale. Më e madhja prej tyre ndodhet në rrethin e Solntsevo-s në rrethet jugore të Moskës.

Grupi njihet se ka lidhje me Semion Mogilevich, kriminelin më të fuqishëm të Europës, ndoshta edhe të botës.

Solntsevskaya Bratva është një grup i decentralizuar dhe grupi është i përbërë nga 10 “brigada” pothuajse-autonome dhe veprojnë në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra. Të ardhurat e grupit mbikëqyrën nga një këshill me 12 persona që “takohen rregullisht në pjesë të ndryshme të botës”. Grupi përllogaritet se ka rreth 9 mijë anëtarë dhe buka dhe djathi i tyre është droga dhe trafikimi i njerëzve. Mafia ruse merret me trafikimin e heroinës me origjinë nga Afganistani.

Rregulli parësor është “të mos bashkëpunojë kurrë me policinë”. Nëse njëri prej anëtarëve të mafies ruse kapet nga policia, ajo e vret atë para se ai të lirohet, duke qenë se këto raste ata i llogarisin si një rrezik potencial për organizatën.

7- “TRIAD”

Në shqip do të thotë treshe, është organizata më e fuqishme mafioze për trafikun e drogës. “Triad”-a kineze është marrë si shembull konkurrimi për mafien ruso-aziatike. Anëtarët e kësaj organizate kanë instaluar baza operative për trafikimin e heroinës në Hong Kong, Singapor dhe Bangkok. Fillesat e kësaj organizate mund të themi që janë më të lashtat në krahasim me të gjitha mafiet e tjera, ato datojnë që në vitin 1760. Është shumë e ngjashme në rite me Jakuzën japoneze dhe Cosa Nostra-n italiane.

8- Mafia turke

Është quajtur si një organizatë kriminale shumë e fuqishme. Mafia turke ka pasur në kontroll një pjesë të madhe të trafikut të heroinës në të gjithë botën. Mafia turke disa herë ka qenë bashkëpunëtore me mafian ruse, dhe pak me mafian italian. Ashtu si organizatat simotra edhe mafia turke operonte më tepër në trafikimin e lëndëve narkotike, por edhe të “mishit të bardhë”, siç njihet në gjuhën e mafias.

9- “Sacra Corona Unita”

Nuk është e vetmja organizatë mafioze në Pulia të Italisë, por pa asnjë dyshim është më e rëndësishmja dhe më e madhja. Selinë qendrore e ka në Pulia. Fillimet e saj i ka në vitet ‘80 dhe sot është organizimi më i fuqishëm. Përbëhet nga 7 organizata dhe 47 familje dhe me rreth 1755 anëtarë, kryesisht në provincën e Brindizit, Leçes dhe Torontos. Është një organizim i ri në krahasim me organizimet e mëparshme të mafies.

10- Karteli Sinaloa

Karteli Sinaloa është konsideruar organizata më e fuqishme e drogës në Amerikën Latine, dhe luftërat e përgjakshme mendohet se janë përgjegjëse për vrasjen e më shumë se 10 mijë personave nga viti 2008-2012, duke bërë që qyteti të marrë titullin “kryeqyteti i vrasjeve në botë”.

Nën udhëheqjen e Guzman, Karteli i Sinaloas, një nga korporata ndërkombëtare më të mirë-organizuara në botë, me të ardhura vjetore prej 3 miliardë dollarësh, është përgjegjëse për 25 % të drogës së paligjshme që hyn në Shtetet e Bashkuara nga Meksika. Këto shifra nuk priten të ndryshojnë tani që Guzman ndodhet pas hekurave.

11- Kartelet kolumbiane

E quajtur ndryshe edhe si “karteli kolumbian i drogës”, ajo është e njohur në botë për monopolin e trafikut të drogës, veçanërisht të kokainës, të cilën e transportojnë në gjysmën e botës përmes metodave të ndryshme, duke përfshirë edhe nëndetëset. Operon në të gjithë botën, në sajë të infiltrimit të thellë në politikën e disa vendeve të korruptuara. Tre grupet mafioze më të famshme kolumbiane janë “Cartello di Cali”, “Cartello Medellin” dhe ai i “Norte Valle”. Këto grupe nuk janë të përfshira vetëm në trafikun e drogës, por edhe në rrëmbime dhe akte terroriste.

12- Mafia izraelite

Megjithëse është më pak e njohur në krahasim me bandat e tjera, mafia izraelite ka nën kontroll trafikun e drogës dhe prostitucionit në shumë vende. Është e njohur për mizorinë e saj, nuk mendon dy herë për të vrarë cilindo që tenton ta pengojë atë. E ndihmuar nga mafia ruse, ajo izraelite ka depërtuar aq thellë në strukturën politike amerikane, saqë është mjaft e vështirë për ta çrrënjosur nga aty.

13– Mafia serbe

Mafia serbe e përhapur gjithashtu në Europë dhe në SHBA është e përfshirë në aktivitete të ndryshme ilegale, të tilla si trafikim droge, vrasje me pagesë, shantazhe, kumar dhe grabitje. Brenda organizatave kriminale që përbëjnë mafien serbe ekzistojnë edhe klane të fuqishme. Brenda tyre janë organizata më të vogla. Mafia serbe ka qenë veçanërisht aktive gjatë luftërave të ish-Jugosllavisë, gjatë të cilave ajo fitoi mbështetjen e qeverisë përmes një fushate të gjerë të korrupsionit.

14 – Mafia shqiptare

Mafia shqiptare është një grup i organizatave kriminale me bazë në Shqipëri, aktive në Europë dhe në SHBA sidomos në tregtinë e seksit dhe trafikimit të drogës. Është një ndër mafiet më të dhunshme, sidomos nëse motivohen nga hakmarrja. Jo gjithmonë këto grupe kriminale janë të organizuara midis tyre. Në fakt, shpeshherë ata kanë tendencë për të konkurruar me njëra-tjetrën, ose për të shkaktuar luftëra të vërteta të brendshme.

Shqiptarët gjithnjë kanë pasur lidhje me grupet më nën zë kriminale italiane si ‘Ndragetën, Cosa Nostra, Camorra dhe Sacra Corona Unita.

Struktura e mafies shqiptare

Operacionet e kryera nga policia i kanë lejuar  ata të studiojnë fenomenologjinë e organizatave kriminale shqiptare në përshkallëzimet e tyre progresive, nga të cilat janë zbuluar disa elemente karakteristike të krimit shqiptar.

Disa analistë kanë vënë në dukje se mafia shqiptare ka një profil të ngjashëm sociologjik me Ndrangetën: me bashkëpunëtorë që i përkasin të njëjtës familje, të njëjtin qytet apo edhe të njëjtën lagje.

Bandat shqiptare kanë gjithashtu një tipar që të kujton klanin kalabrez, me një strukturë përgjithësisht horizontale (te Cosa Nostra organizimi është vertikal), brenda të cilit njihet vetëm lideri suprem duke qenë se personat e tjerë, anëtarë të bandës mund të zëvendësohen, shkruan Tirana Observer.

Ashtu si te Ndrangeta, edhe te mafia shqiptare, çdo familje ka kontroll të plotë në territorin që operon, dhe monopol të çdo aktiviteti, të ligjshëm dhe të jashtë-ligjshëm.

Banda mafioze shqiptare mbështetet kryesisht tek lidhjet e gjakut dhe farefisnore. Lidhjet mes familjeve të ndryshme janë forcuar më tej nëpërmjet martesave. Duke qenë se ata janë shumë të lidhur me njëri- tjetrin është e vështirë të dalin të penduar (familjarë që dëshmojnë kundra familjes).

Ajo që bie në sy është se si shqiptarët kanë zënë territoret të cilat i mbajnë nën mbikqyrje të rreptë dhe aty zhvillojnë një sërë aktivitetesh ilegale që e kanë bërë Shqipërinë udhëkryq të trafikut të drogës dhe trafikimit të qenieve njerëzore.

Këto organizata janë si një lloj klani, me bazë familjare, megjithatë të shpejta në kapjen e mundësive të ofruara nga globalizimi i tregjeve dhe për të kërkuar forma të ndryshme bashkëveprimi.

Klanet shqiptare, edhe pse jo të gjitha janë të organizuara mirë,  kanë rregullat e tyre të brendshme, me metodat e nënshtrimit, me Omerta-n (kodin e heshtjes) etj, mjaft të ngjashme me organizatat mafioze kryesore.

Mafia shqiptare është e ngjashme me mafiat e tjera jo vetëm në karakteristikat reale “mafiogjene” por edhe në format e gangsterizmit urban, banditizmit dhe në karakterin multi-etnik.

Kjo të kujton Ndragetën kalabreze, si organizatë që vepron në bazë të lidhjeve etnike ose familjare shumë të ngushta. Ata përdornin metodat e dhunshme dhe më brutale për të siguruar dominimin ndaj grupeve të tjera.

Organizata gjithashtu përfshin një strukturë të caktuar në zona të ndryshme të Europës, të përbërë nga njerëz që jetojnë përgjithmonë në lëvizje, të ashtuquajturit trafikantët, përgjegjës për transportin e drogës. Në fund janë dhe korrierët, që janë materialisht përgjegjës për shpërndarjen e drogës, por që kanë një profil më të ulët. Dhe pas tyre vijnë tregtarët që shumë rrallë janë shqiptarë.

Udhëheqësit qëndrojnë pothuajse gjithmonë në vendin amë, ku ata japin udhëzime.

Vazhdimësia e strukturës sigurohet më pas nga një seri qelizash operative që kanë arritur me kalimin e viteve të marrin lejen e qëndrimit në territore të ndryshme kombëtare, në të cilat ata veprojnë dhe që përbëjnë pikën themelore të përshtatshme për trafikantët.

Policia thekson se organizatat duken shumë të vendosura, të përbëra nga individë të dhunshëm që shumë rrallë pendohen dhe të lidhur ngushtë me grupet e banorëve në Shqipëri.

Ajo që është interesante në raportin kriminal të Ministrisë së Brendshme italiane, është fakti që në organizatat kriminale shqiptare, është parë një rritje e pjesëmarrjes së grave, madje edhe në poste drejtuese,

Ndryshe nga e kaluara ku shqiptarët njiheshin gjerësisht si të lidhur me prostitucionin, tani ata janë tepër aktivë në grabitje të armatosura, trafik droge e krime të tjera.