Përparim Kalo është anëtari i gjashtë i Gjykatës Kushtetuese, që u zyrtarizua në detyrë pasi bëri betimin në Presidencë duke bërë kështu funksionale këtë gjykatë pas gati 3 vitesh.
Gjykata Kushtetuese organi më i lartë në Shqipëri që garanton zbatimin e Kushtetutës dhe balacën e pushteteve ishte e pezulluar që prej mars 2018 dhe tani pritet të nisë një punë voluminoze.
140 dosje
Deri tani janë 140 dosje që presin të shqyrtohen nga 6 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Ndër çështjet kryesore janë edhe ato më të debatuara të politikës, si ajo e zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit, që opozita i cilësoi si antikushtetuese.
Për këtë kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi ka paraqitur një kërkesë në Kushtetuese, Korrikun e kaluar, ku kërkonte anulimin e tyre si dhe verifikimin e regjistrimit në këto zgjedhje të partisë së re, Bindja Demokratike.
Një tjetër çështje e nxehtë është edhe prishja e Teatrit Kombëtar. Në Maj të 2019-s, Presidenti Ilir Meta depozitoi një kërkesë duke ankimuar ligjin për “Shembjen e Teatrit”. Të njëjtën kërkesë Meta e depozitoi edhe në Maj të këtij viti, pasi qeveria vendosi të kalojë në pronësi të bashkisë godinën e teatrit që më pas solli edhe shembjen e tij. Këtë vendim Meta e cilësoi antikushtetutes duke i kërkuar gjykatës në atë kohë të dalë me një vendim për ligjshmërinë e këtyre hapave të ndërmarrë nga qeveria.
Dosjet e tjera kanë të bëjnë me çështje që lidhen me pronat, por edhe përplasjet mes institucioneve, ndërsa nuk mungojnë edhe individë të caktuar që kërkojnë zgjidhje në këtë gjykatë.
“Do të punojmë me integritet”
Në një reagim zyrtar të Gjykatës Kushtetuese thuhet se, do të funksionojë me integritet.
“Gjykata Kushtetuese është e angazhuar të ushtrojë funksionet me integritet dhe qëndrueshmëri për përmbushjen e misionit të saj kushtetues, duke pasur besimin e plotë të kapërcimit të sfidave që janë përpara saj, në respektim të vlerave dhe standardeve me të rëndësishme kushtetuese”, thuhet në reagimin për media.
“Ringritja e Gjykatës Kushtetuese ka qenë një kërkesë jetike për vendin, për shkak të rolit dhe kompetencave që ajo ka si garante e Kushtetutës dhe shtetit të së drejtës, në mbrojtje të demokracisë, lirive dhe të drejtave themelore të individit”, nënvizohet në reagimin e Gjykatës Kushtetuese.