Numri i personave që janë infektuar me koronavirus në Shqipëri ka shkuar në 15. Lajmin e konfirmoi Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu gjatë mbrëmjes së të mërkurës.
Ajo theksoi se gjithsej janë analizuar 283 persona të dyshuar, ndërsa për sa i përket infektimeve të reja, bëhet fjalë për tre persona që kanë pasur kontakt me pacientin zero.
“283 raste të testuara, 15 raste pozitive. Rastet e reja lidhen me pacientin zero”, tha Manastirliu.
Sot u shënua viktima e parë e nga koronavirusi në vendin tonë. Bëhet fjalë për një 73-vjeçare, e cila humbi jetën në Spitalin e Durrësit për shkak të komplikacioneve. Shqetësimi u rrit me këtë rast pasi nuk kishte treguar që kishte vizituar Italinë, duke vënë në pyetje nëse personeli mjekësor ishte prekur gjithashtu nga COVID-19.
Ministrja Manastirliu sqaroi se pas analizave të kryera askush nga personeli nuk rezultoi pozitiv me virusin. Sipas saj kjo do të thotë që mjekët kanë punuar sipas protokolleve të caktuara.
“Në kampionin e parë të testimeve që kemi realizuar në spitalin e Durrësit dua të njoftoj që të gjitha testimet janë negative, pra në këtë kampion testimet kanë dalë negative. do të thotë që mjekët kanë punuar sipas protokolleve që rekomandohen nga OBSH”.
Manastirliu theksoi se do të kryhet edhe analiza e të afërmve dhe familjarëve të viktimës.