Janë kapur 151 kg drogë në Shkodër. Lënda narkotike e llojit marijuanë u gjet brenda një makine tip furgon me targa malazeze, e cila ishte futur në vendin tonë përmes pikës kufitare të Hanit të Hotit.
Në prangat e policisë kanë rënë 3 persona, shtetasit me iniciale K. P., 25 vjeç, banues në Shkodër, R. B., 42 vjeç, banues në Danilograd, Mali i Zi dhe M. R., 36 vjeç, banues në Nikshiq, Mali i Zi.
“Kapja dhe arrestimi i shtetasve të mësipërm u bë pasi nga kontrolli në brendësi të mjetit tip furgon “Volkswagen” me targa malazeze, i cili ishte futur në Shqipëri nëpërmjet PKK të Hanit të Hotit nga shtetasi R.B, u konstatuan 25 paketime polisteroli, 13 nga të cilat kishin brenda tyre lëndë narkotike të dyshuar “marijuanë” me peshë totale 151 kg, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale,”-raporton policia.
Policia sekuestroi edhe 2 automjete, 5 telefona celularë, 1 palë dylbi dhe një sasi eurosh.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve kryer në bashkëpunim i mbetur në tentativë” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve kryer në bashkëpunim”.