Presidenti Ilir Meta ka folur sot për marrëveshjen e arritur 5 vite më parë mes Ramës dhe Bashës, më 17 maj, të cilën e cilëson si ditën me të errët të pluralizmit në Shqipëri.
Sipas kreut të shtetit, ishin pjesë e marrëveshjes djegia e mandateve, bojkoti i zgjedhjeve, lehtësimi i punës për koncensionet korruptive, bojkoti i reformës në drejtësi.
Për Ilir Metën, nga kjo marrëveshje u pasuruan një grup i vogël njerëzish, ndërsa qytetarët shqiptarë po i ndjejnë pasojat e saj edhe në ditët e sotme.
“Sot është 17 maj dhe kjo ditë do të kujtohet si dita më e errët e pluralizmit në këto 32 vite, pasoja shkatërrimtaret të së cilës për demokracinë dhe llogaridhënies, të gjithë vazhdojnë t’i ndjejnë çdo ditë. Ajo marrëveshje e turpshme e realizuar në errësirë 5 vite më parë tashmë ekspozuar në dritën e diellit për qytetarët. Është e qartë se ajo ishte një marrëveshje kundër zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, duke penalizuar dhe aleatët që qëndruan në çadër. Ajo marrëveshje vijoi dhe ende gëlon. Ishte pjesë e marrëveshjes së 17 majit dhe djegia e mandateve parlamentare të opozitës duke i garantuar pushtetit kapjen e plotë të parlamentit dhe institucioneve të pavarura.
Ishte pjesë e marrëveshjes dhe bojkoti i zgjedhjeve lokale. Ishte pjesë e marrëveshjes dhe mosregjistrimi i PD në KQZ në 13 tetor 2019, datë që e zgjodhi PD. Ishte pjesë e marrëveshjes që t’i lehtësohej puna qeverisë për të kaluar dhjetëra koncensione korruptive, pronë e popullit shqiptar. Po kështu shembja e teatrit kombëtar. Marrëveshja edhe për të nxjerrë në ankand trashëgimin e vendit. Shitja e zgjedhjeve të 25 prillit pa dyshim që ishte pjesë e marrëveshjes së 5 viteve më parë. Ishte pjesë e marrëveshjes bojkoti i reformës në drejtësi që lehtësoi kapjen e drejtësisë së re nga qeveria aktuale. Pasojat janë të qarta, bllokimi i integrimit dhe shpopullimi i vendit. Më tej, shumica e familjeve i ndjejnë kostot e kësaj marrëveshje”, u shpreh Ilir Meta.
A i ka mbyllur përfundimisht marrëdhëniet me Ramën? Meta: Kam vetëm një kusht
Ilir Meta foli edhe për të ardhmen e tij pasi të mbyllë mandatin e Presidentit të Republikës me 24 korrik.
Ai u pyet nëse e ka mbyllur përfundimisht marrëdhëniet e tij me Ramën dhe në të ardhmen nuk do të ketë më bashkëpunim.
Megjithatë, Meta nuk u shpreh i prerë në përgjigje, ndërsa tha se është i hapur për bashkëpunim me të gjithë, por ka një kusht, të cilin sipas tij, Rama nuk do ta plotësonte kurrë.
“Kam një gusht për secilin do të bashkëpunojë nga 24 korrik. Kushtetuta ndryshohet vetëm me referendum”, tha Meta.