Kryesore 17 raste të reja me COVID-19, shtohet numri i të shtruarve, por...

17 raste të reja me COVID-19, shtohet numri i të shtruarve, por edhe i të shëruarve

Gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë konfirmuar 17 raste të reja me Covid-19. Bëhet fjalë për 8 të infektuar në Tiranë, 6 në Shkodër dhe 3 në Kamëz.

Ato janë kontakte të rasteve të mëparshme dhe disa raste të reja në Tiranë dhe Shkodër, që  po hetohen sipas Ministrisë së Shëndetësisë.

Numri total i të infektuarve ka shkuar në 1263, ndërsa së fundmi i janë shtuar edhe 3 personel shëndetësor. Vijon të ketë shtrime të reja në spital, ku aktualisht ndodhen 34 të prekur, nga të cilët 6 në terapi intensive, ku 2 janë intubuar.

Pavarësisht kësaj, Ministria e Shëndetësisë thotë se situata paraqitet e qëndrueshme. Edhe numri i të shëruarve ka pësuar rritje.

“Janë shëruar 7 qytetarë, duke e çuar në 945 numrin e të shëruarve nga fillimi epidemisë. Në vendin tonë janë 284 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë dhe Kamëz”.

Ministria e Shëndetësisë bëri apel për kujdes.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju fton për t’u treguar të kujdesshëm për respektimin e distancës fizike me njëri-tjetrin, evitimin e kontakteve, shtrëngimit të duarve dhe përqafimeve, ruajtjen e higjienës personale”.