Biznesmeni i hidrokarbureve, Rezart Taçi, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, akuzohet nga SPAK të ketë qenë garantori i “filtrimit” të 18 milionë eurove të mbërritura në Shqipëri.
Ndërsa në krijimin e skemës financiare që, sipas SPAK, drejtohej nga 90-vjeçari italian, Francesco Zummo, është angazhuar vetë i moshuari duke ardhur në Shqipëri bashkë me kontabilistin Fabio Petruzzela, të dy të proceduar aktualisht në vendin fqinj.
Burime pranë SPAK konfirmuan se ata kanë mbërritur në Shqipëri në 17 qershor. Të nesërmen, Zummo dhe Petruzzela kanë udhëtuar drejt Malit të Zi, ku kanë hapur një llogari bankare në Podgoricë dhe në të njëjtën ditë, 18 qershor, janë rifutur në Shqipëri dhe kanë hapur dy llogari bankare në një bankë të nivelit të dytë në kryeqytet, ku mund të kishin të dy mundësi për kryerje veprimesh.
Sipas dosjes hetimore, transferta e shumës prej 18,3 milionë eurosh është bërë nga Zvicra në bankën shqiptare më 28 korrik. Pas kësaj date, vendi është vizituar disa herë nga kontabilisti Petruzzela. Sipas SPAK, ai është përpjekur të bëjë transferimin e shumës në banka të vendeve të tjera, por nuk ka mundur për shkak të kërkesave burokratike të bankës. Vonesa është përdorur nga Prokuroria e Napolit, e Palermos dhe SPAK-u për të përgjuar bisedat e shqetësuara mes të dyshuarve dhe nxjerrë të dhëna të vlefshme për hetimin.
Në Shqipëri, dy italianët janë ndihmuar nga të besuarit e Taçit, kunati Artur Balla e ish-shoqëruesi, Bledar Lilo, veprime që janë dokumentuar.
Në ditët në vijim, Prokuroria e Posaçme SPAK pritet të nisë edhe një hetim pasuror ndaj biznesmenit Taçi. Për llogari të këtij hetimi, të gjitha pasuritë e tij do të kalojnë në filtrat e ligjit anti-mafia për të provuar nëse justifikohen apo jo në burime të ligjshme.