Dy persona janë vënë në pranga dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim për një ngjarje kriminale të ndodhur në Elbasan.
Mësohet se 18-vjeçari me iniciale L.H. përndiqte prej kohësh dhe ushtronte dhunë psikologjike ndaj një vajze të mitur 14-vjeçare. Rasti ishte mësuar edhe nga babai i vajzës, 49-vjeçari me iniciale A.K.
Ky i fundit u takua ditën e djeshme me adoleshentin 18-vjeçar dhe ushtroi dhunë fizike ndaj tij, së bashku me dy persona të tjerë me iniciale G.Sh. 46 vjeç dhe O.K. 20 vjeç.
Këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, morën peng për disa orë 18-vjeçarin që ngacmonte vajzën 14-vjeçare, duke e mbajtur në një automjet dhe më pas e lanë të lirë.
Pas hetimeve të policisë, u arrestua 18-vjeçari pasi rezultoi se përndiqte të miturën, por edhe babai i vajzës për dhunë dhe heqje të paligjshme të lirisë. Ndërsa dy bashkëpunëtorët e tij vijojnë të jenë në kërkim.