Ai ishte pjesë e Juventusit prej 19 vitesh. Luajti te Juventusi, gjithashtu e trajnoi atë, edhe pse vetëm ekipet e të rinjve. Ekipi i parë ishte gjithmonë i mbyllur për të, edhe nëse para rindërtimit të Contes vërtet dukej se ishte koha e duhur. Por, kjo është e kaluara. Ai tani ka 18 vite larg Juves. E tashmja thotë se Gian Piero Gasperini ka kohë që i ka hequr rrobat e tij të Juventusit, së bashku me Atalantën do të jetë gjykatësi i vërtetë i sezonit të bardhezinjve.
Juve dhe Gasperini kanë qenë gjithmonë shumë afër. Sipas Mimmo Maietta, të cilin e trajnoi në akademinë e të rinjve të Juventusit, “ai e brohoriste skuadrën bardhezi”. Një marrëdhënie që vazhdoi për vite me radhë, pastaj përfundoi. Të gjithë në rrugën e tyre. Kur shkoi tek Interi, pa imagjinuar sa të komplikuara dhe të dhimbshme sportivisht do të ishin javët e tij me zikaltrit, Gasperini mohoi gjithçka: “Unë jam tifoz i Juventusit? Lidhja ime është me Crotone dhe Genoa”. Këto janë dy skuadrat, në të cilat ishte rritur, para se të mbërrinte në Milano.
Por, më 2015 ishte gjithashtu në “Olympiastadion” të Berlinit për të ndjekur finalen e Champions-it midis Juventusit dhe Barcelona. Edhe pse te Genoa në atë kohë, trajneri foli për një “udhëtim rifreskues”, një udhëtim biznesi “për të analizuar implikimet taktike të një takimi që premton të jetë emocionues, duke krahasuar dy filozofi të mendimit”.
Dhe tani, Gasperini me Juventusin takohen përsëri. E kanë bërë këtë në kampionat dhe për “Zonjën” ishte mjaft e dhimbshme: 1-1 në ndeshjen e parë, 1-0 për zikaltrit në kthim. Midis finales së nesërme në mbrëmje të “Coppa Italia” dhe ndeshjes së fundit të Serie A, trajneri nga Grugliasco është “arbitri dhe gjykatësi” i sezonit të Juventusit.
Kombinimet janë mjaft të njohura: Juve duhet të mposhtë Bologna dhe të shpresojë që njëri mes Napolit dhe Milanit të mos fitojë. Duke marrë parasysh formën e dobët të Verona-s, që u shemb në pjesën e fundit të kampionatit, vëmendja është e gjitha në Bergamo. Tek Atalanta dhe Gasperini. Mbi dëshirën e vazhdueshme dhe të pashtershme të Zapata dhe shokëve të tij për të shtypur çdo kundërshtar. Dhe me Milanin, ata tashmë kanë arritur dy herë fitore në disa muaj: 5-0 në dhjetor 2019, 3-0 disa javë më parë.
Së pari, megjithatë, është një finale e Kupës së Italisë për t’u menduar. Për Atalantën do të ishte “qershia mbi tortë”, për Juventusin një “meze” e sezonit të trazuar. Me fatin e Andrea Pirlo në prapavijë, gjithnjë e më shumë në largim, i shtypur nga hija e rëndë e shumë kolegëve, nga Massimiliano Allegri te Zinedine Zidane.
Argument që nuk ka të bëjë me Gasperini, i cili po përgatitet të jetojë sezonin e gjashtë radhazi në stolin e Atalantës; të tretin në Champions. Një mrekulli sportive, edhe pse trofeu mungon. Dhe kjo është arsyeja pse, në “Mapei Stadium” të Reggio Emilia, tifozi Gasperini do t’i lërë hapësirë në mënyrë të pashmangshme kundërshtarit Gasperini.